Në kohën kur në sheshin “Skënderbej” po mblidheshin pjesëmarrësit për protestën e 33 antiqeveritare, aktivistja Luçiana Kokaj akuzoi policinë për sjellje joprofesionale dhe përdorim dhune ndaj protestuesve paqësorë.
Ajo tregoi se gjatë protestës ndodhej rastësisht në rreshtin e parë dhe po komunikonte me efektivët për dhunën, kur sipas saj njëri prej tyre nxori një shishe me piper dhe e hodhi drejt protestuesve. Sipas Kokajt, efekti u ndje menjëherë.
Të lidhura
None found
Aktivistja tha se nuk e kishte çarë gardhin e policisë, pikërisht për të mos provokuar, por megjithatë, sipas saj, uniformat blu ndërmorën një veprim shumë të dhunshëm duke përdorur spraj.
Sipas deklaratës së saj, policia duhej të kishte paralajmëruar më parë, pasi në protestë ndodheshin edhe gra e fëmijë. Ajo shtoi se pas incidentit e futën në një lokal dhe e lanë vetëm, ndërsa ambulanca nuk shkoi kurrë për t’u dhënë ndihmë. Për në spital, tha ajo, e dërgoi deputeti Erald Kapri.
Kokaj deklaroi gjithashtu se mes personave të ndaluar ka protestues që janë dhunuar brenda furgonëve të policisë dhe se disa prej tyre kanë sy të nxirë.
Ajo u shpreh se policët e provokuan dhunën dhe se e gjithë sjellja e tyre ishte tërësisht joprofesionale. Më tej, aktivistja tha se nuk paguhet nga askush dhe se kryeministri nuk mund ta quajë mercenare, pasi nuk ka marrë asnjë lek, duke shtuar se kjo, sipas saj, tregon nivelin e kryeministrit tonë.
Në vijim, Kokaj deklaroi se kryeministri i ka borxh, pasi, sipas saj, i ka marrë tokën për t’ia dhënë deputetit të PD-së.
Ajo e cilësoi këtë si një protestë që ka marrë përkrahje ndërkombëtare dhe shprehu dëshirën që djemtë të jenë mirë. Sipas saj, ka pasur edhe protestues që janë goditur me shkelma nga policia në momentin kur tentuan të largoheshin.
