Mbërrin edhe grupi i tretë me 131 afganë në Kosovë

Grupi i tretë i qytetarëve afganë ka arritur në Kosovë më 31 gusht.

Aeroplani i forcave amerikane është nisur nga Gjermania ndërsa ka ateruar tashmë në Aeroportin ‘Adem Jashari’ rreth orës 17:00.

Në aeroplanin e forcave amerikane ishin gjithsej 131 afganë në bord.

Deri më tani në Kosovë janë strehuar 355 afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht në Kosova derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë shtet tjetër anëtar të NATO-s.

Gjatë ditës së sotme, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla deklaroi se pak pas mesnate në Kosovë kanë arritur 113 afganë, që ishin bashkëpunëtorë të NATO- dhe familjet e tyre.

“Strehimi i tyre është i përkohshëm edhe bazuar në vendimet e qeverisë. Ne kemi marrë zotimin e aleatëve tanë që strehimi i tyre të zgjatë sa më shkurt që është e mundur. Bëhet fjalë për çështje javësh, mos të them muajsh”,deklaroi ndër të tjerash ministri.

Në Kosovë fillimisht janë strehuar 111 qytetarët e parë afganë, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin.

Prej tyre, 55 janë gra dhe fëmijë, kurse të tjerët janë burra. Ata arritën në Prishtinë më 29 gusht.Javë më parë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.

Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit.

Qindra afganë janë strehuar edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.Shtetet e Bashkuara më 30 gusht e kanë përfunduar tërheqjen e plotë nga Afganistani pas 20 vjetësh të prezencës ushtarake atje.Vendi tashmë është nën kontrollin e talibanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taliban.


Shtuar 31.08.2021 19:49