Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mesazheve mashtruese të llojit “phishing”, të cilat ditët e fundit po shpërndahen përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit, përfshirë WhatsApp-in.
Sipas autoriteteve, dërguesit e këtyre mesazheve hiqen si përfaqësues të bankave ose të institucioneve publike dhe u kërkojnë qytetarëve të përditësojnë të dhënat bankare, të konfirmojnë llogarinë apo të kryejnë veprime të tjera përmes një linku të bashkëngjitur. Policia këshillon që këto linqe të mos hapen.
Të lidhura
None found
Mesazhet dërgohen nga numra të ndryshëm telefoni dhe synojnë të bindin përdoruesit se duhet të ndërhyjnë urgjentisht në llogaritë e tyre. Në të vërtetë, bëhet fjalë për skema mashtruese që synojnë marrjen e kredencialeve të e-banking, kodeve të verifikimit OTP dhe të dhënave të kartave bankare.
Të dhënat e përfituara në këtë mënyrë mund të përdoren për të kryer transaksione pa autorizim dhe për t’u shkaktuar qytetarëve dëme financiare.
Qytetarët duhet të shmangin klikimin e çdo linku të ardhur me SMS, WhatsApp ose nëpërmjet aplikacioneve të tjera të komunikimit, veçanërisht kur mesazhi vjen nga një numër i panjohur apo i dyshimtë.
Policia këshillon gjithashtu që të mos ndahen në asnjë rast fjalëkalimet, kodet OTP, PIN-i apo të dhënat e kartës bankare. Para hyrjes në shërbimet bankare online, duhet kontrolluar me kujdes adresa e faqes dhe duhet të përdoren vetëm kanalet zyrtare të bankës.
Bankat nuk kërkojnë të dhëna konfidenciale përmes linqeve të dyshimta. Në rast paqartësie, klientët duhet të komunikojnë me bankën vetëm nëpërmjet numrave të telefonit dhe kanaleve zyrtare të saj.
Nëse dikush ka hapur një link të dyshimtë ose ka dorëzuar të dhënat bankare, duhet të kontaktojë menjëherë bankën për bllokimin e kartës apo të llogarisë dhe për marrjen e masave të nevojshme.
Gjithashtu, rekomandohet ndryshimi i menjëhershëm i fjalëkalimeve të përdorura për aksesin në shërbimet bankare. Rasti duhet të raportohet në Policinë e Shtetit, në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe në çdo drejtori vendore.
Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të jenë vigjilentë ndaj çdo mesazhi, linku ose faqeje interneti që kërkon të dhëna personale, bankare apo kode verifikimi: të mos klikojnë, të mos japin të dhëna dhe të verifikojnë gjithçka përmes kanaleve zyrtare.
