Masakra e Don Boskos, Prokuroria mbyll hetimet për “ushtarin” e Ervis Martinajt: Krijoi kushtet për vrasjen

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe pritet të dorëzojë dosjen ndaj Nikoll Shernikut, i përfshirë në masakrën e Don Boskos për gjykim.

Sherniku, i cili ka lidhje shoqërore me Ervis Martinaj, do të përgjigjet përpara drejtësisë për akuzën e “krijimit të kushteve për të kryer vrasje”.

Sipas prokurorisë i pandehuri gjatë kohës që ishte vendosur nën masën e arrestit në shtëpi, ka udhëtuar nga Shqipëria drejt Gjermanisë ku në një servis në pronësi të një shtetasi nga Kosova mori targat, të cilat u përdoren në masakrën e Don Boskos. Pas ngjarjes me një të vrarë dhe 5 të plagosur, autorët e shkrumbuan automjetin që përdorën në krim në fshatin Likmetaj.

Rezultoi se automjeti ishte pajisur me një targë gjermane dhe hetimet zbuluan se ishte pikërisht Nikollë Sherrniku që disa muaj përpara masakrës kishte vjedhur targa në servisin në Gladbeg të Gjermanisë, të cilat dyshohet t’ia ketë dorëzuar Ervis Martinajt, mbretit të bizhozit që u zhduk pa gjurmë. Një fakt të tillë e pohon për prokurorinë edhe një i njohur i Sherrnikut, i cili pretendon se teksa ai duhet të ishte në arrest shtëpie udhëtoi drejt Gjermanisë dhe shkoi në servisin Auto Gago ku punonte edhe vëllai i dëshmitarit.

Mes të tjerash dëshmitari rrëfen se Sherrniku i kishte thënë se targat do t’ia jepte Ervis Martinajt të cilin e thërriste “shefi”. I pandehuri i kundërshton akuzat dhe pretendon se s’ka asnjë lidhje me ngjarjen, por tashmë i duhet të përballet me gjykatën.

Çfarë ndodhi në Don Bosko më 12 mars 2023

Një togë qitësish qëlluan me breshëri plumbash në lokalin në pronësi të vëllezërve Fation dhe Ervis Murati në rrugën ‘Anastas Shundi’ në Tiranë.

E vrarë mbeti banakierja e lokalit Mimoza Paja dhe u lëndua mbesa e saj, vetëm 10 vjeçare.

Të plagosur mbetën edhe Shehat Murati, Astrit Memaj, Genci Shaholli, Ermir Dajçuk dhe Emanuel Çala. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrje.


Shtuar 28.11.2023 12:54