Manja replika në Kuvend me Peleshin: Ndjesa pa mikrofon vlen më shumë se cinizmi yt, të ula gradat…

Nuk kanë munguar sërish replikat mes ish-ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, pas një ndërprerjeje në fjalën e deputetit.

Sapo mori fjalën, Manja u shpreh se po i drejtohej Peleshit për një “ndjesë me mikrofon”, duke iu referuar një situate të mëparshme në sallë, ku sipas tij kishte kërkuar falje pa mikrofon.

Ndjesa ime pa mikrofon është më e fortë se cinizmi yt me mikrofon”, tha Manja, duke shtuar se ndërhyrja e tij lidhej edhe me pamundësinë për të replikuar më herët gjatë debatit.

Ai theksoi se, megjithëse rregullorja e Kuvendit nuk lejon replika në atë moment, ekziston mundësia e mirëkuptimit mes kolegëve për ndryshimin e radhës së fjalës, gjë që sipas tij nuk u respektua.

Gjatë fjalës së tij, Manja iu rikthye edhe debatit politik me opozitën, duke përmendur kreun e PD-së Sali Berisha, të cilin e akuzoi për përdorimin e gjuhës së ashpër dhe të konfliktit politik ndër vite.

Sipas tij, përballja me një figurë me eksperiencë të gjatë politike kërkon më shumë se rregullore parlamentare, duke iu referuar “rregullores personale” të çdo politikani në debat.

Në fund të replikës, Manja u shpreh se reagimi i tij ishte i nevojshëm për të sqaruar situatën e krijuar në sallë.

“Z. kryetar i Kuvendit, meqë qëparë nuk ma dhe fjalën për të konsumuar minutat e mia për t’iu përgjigjur Sali Berishës për akuzat që bëri, të paktën të kërkoja edhe ndjesën me mikrofon se të ula gradat që ke dhe preferove që në vend të ndjesës publike simes pa mikrofon të dominojë cinizmi yt me mikrofon. Dua të të kujtoj se fuqia e ndjesës pa mikrofon është shumë më e fortë sesa cinizmi i kujtdo në këtë sallë. Unë e njoh rregulloren e Kuvendit dhe sigurisht nuk lejohet replika, por e drejta për të ndryshuar radhën në mirëkuptim me kolegët dhe ju, ekziston. Ju nuk e patët këtë mirëkuptim dhe e mirëkuptoj sepse nuk është e lehtë të përballesh me një dinozaur politik si Sali Berisha që ka 40 vjet që mbijeton në politikë me mjetet që di të përdorë më mirë: intrigën, presionin, baltën, shpifjen, shantazhin, shto tani në fund edhe gradën shkencore non grata. Që të përballesh me këtë nuk të vjen në ndihmë rregullorja e Kuvendit sesa rregullorja jote”, tha Manja.

Nga ana e tij, Peleshi u përgjigj shkurt se nuk e lejon rregullorja të replikojë në atë moment, por shtoi se do t’i analizojë deklaratat e Manjës për të reflektuar më tej mbi qëndrimin e tij.


Shtuar 14.05.2026 15:32

CasibomHoliganbetjojobetjojobetcasibomcasibomHoliganbetjojobet