Majlinda Dhuka pas protestave: Dialogu është rruga drejt familjes europiane

Kryenegociatorja e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka, ka reaguar pas protestave në kryeqytet, duke theksuar se orientimi i vendit mbetet anëtarësimi në BE. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që, përmes dialogut, të ndërtojnë ura bashkëpunimi.

Dhuka shprehet se përkatësia europiane e Shqipërisë dëshmohet çdo ditë dhe se protestat duhet të shërbejnë si një moment reflektimi për vendin që qytetarët duan të ndërtojnë.

Të lidhura

None found

Sipas saj, Shqipëria europiane duhet të jetë një vend ku zëri i qytetarëve dëgjohet, institucionet respektohen dhe shteti i së drejtës qëndron mbi çdo interes tjetër.

Ajo nënvizon se qytetaria europiane kërkon kurajë për të shprehur mendimin, respektim të ligjit dhe forcë për të mos lejuar që dallimet të shndërrohen në ndarje.

“Bashkimi Europian është destinacioni ynë, ndërsa Familja Europiane është përkatësia jonë çdo ditë, edhe sot.

Protestat dhe zëri i qytetarëve na ftojnë të reflektojmë me përgjegjësinë më të lartë mbi Shqipërinë europiane që dëshirojmë dhe po ndërtojmë me atdhetari, mbi një vend ku zëri i qytetarëve dëgjohet, institucionet respektohen dhe shteti i së drejtës vendoset mbi çdo interes.

Të jesh europian do të thotë të kesh guximin të flasësh, urtësinë për të respektuar ligjin dhe forcën që dallimin të mos e kthesh në largësi mes nesh.

Paqja nuk nënkupton heshtje dhe urtësia nuk do të thotë indiferencë. Ato përfaqësojnë forcën për të mbrojtur vlerat europiane, respektin njerëzor dhe Shqipërinë.

Shqipëria është pjesë e familjes europiane përmes aspiratës së të gjithë shqiptarëve, por edhe përmes vlerave me të cilat ajo zgjedh të jetojë çdo ditë.

Sot ndodhemi më pranë se kurrë realizimit të aspiratës europiane mbi 30-vjeçare. Ky është një moment historik për të gjithë.

Së bashku, lutem, të ndërtojmë urat e DIALOGUT dhe çdo hap drejt Familjes së Përkatësisë, Bashkimit Europian!”, shkruan Majlinda Dhuka.