Macron dëshiron që zgjerimi i BE “të vijojë më shpejt”

Presidenti francez Emmanuel Macron ka theksuar se dëshiron që zgjerimi i Bashkimit Evropian “të vazhdojë më shpejt”, megjithatë, ka sqaruar se diskutimet mes 27-ve sapo kanë filluar dhe nuk është marrë asnjë vendim në këtë fazë.

“Ne jemi të bindur se duhet të ecim më shpejt për këtë çështje”, u tha presidenti francez gazetarëve të premten pas përfundimit të një samiti jozyrtar të BE-së në Granada.

“Për momentin, është ende shumë herët, nuk është marrë asnjë vendim ,” shtoi ai.

Komisioni Evropian do të paraqesë këtë vjeshtë rekomandimet e tij për hapjen e negociatave të pranimit për Ukrainën dhe Moldavinë, të cilat morën statusin e kandidatit në qershor 2022. I njëjti status vlen për pesë vende në Ballkanin Perëndimor.

Macron tha se liderët ranë dakord se “ne po përballemi me një transformim të vërtetë të vizionit tonë gjeopolitik për Evropën tonë “.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha në fund të gushtit se BE-ja duhet të jetë gati të mirëpresë anëtarët e rinj “deri në vitin 2030”./Albeu.com