LSI mbyll fushatën elektorale! Kryemadhi: Votoni për ndryshimin tuaj

” Të mos bien pre e bandave të rilindjes, të patronazhistëve të Edi Ramës dhe fuksave të Veliajt…”

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka përmbyllur fushatën elektorale për të shkuar drejt zgjedhjeve të 25 prillit, ditën e dielë. Mitingu përmbyllës i LSI-së u zhvillua në sheshin “Nënë Tereza” dhe gjatë fjalës së saj për qytetarët e pranishëm, Kryemadhi tha se qeveria aktuale i ka lënë në harresë njerëzit.

Më tej Kryemadhi theksoi, se është detyrë e LSI që të ndërtojë një të ardhme të sigurt për familjet shqiptare, duke ofruar arsim më cilësorë, paga të mirëpaguara për të gjithë.

“Motra dhe vëllezër, në këtë shesh që mban emrin e të shenjtës Nënë Tereza e bekoftë LSI-në, bekoftë të rinjtë dhe të rejat shqiptarë, e bekoftë Shqipërinë.

Motra dhe vëllezër, përkrahës të LSI në qytetin e Tiranës dhe të gjithë ju miqtë e mi, ekipi fitues i LSI, 153 kandidatët, 153 heronj, të cilët përballen me balozin që po ngordh çdo minuta dhe sekondë, i cili numëron minutat e tij duke urryer të rinjtë dhe të rejat shqiptarë, por ju jepini fund më 25 prill asaj që ka marrë peng Shqipërinë dhe shqiptarët.

Motra dhe vëllezër, Shqipëria jonë sot është në rrezik dhe në këto zgjedhje ne kemi një mision: Si ta bëjmë Shqipërinë që të ndihet përsëri shtëpia e shqiptarëve.

Të dielën shqiptarët duhet të zgjedhin: Të jetojnë në Shqipëri apo të kthehen të gjithë në azilkërkues në Evropë. Të kenë një qeveri evropiane për integrimin apo një qeveri totalitare që na çon në modelet totalitare lindore.

Të kemi një qeveri koalicioni me ndarje e balancim pushtetesh apo një qeveri që është në dorë të një personi dhe merr peng të gjithë pushtetet.

Pasuritë e Shqipërisë t’i gëzojnë të gjithë shqiptarët apo një grusht i vogël oligarkësh.

Të triumfojë vota e lirë dhe demokracia apo blerja e votës, autoritarizmi dhe fuksat e patronazhizmit të Edi Ramës.

Të kemi një qeveri që kujdeset për njerëzit apo një qeveri që kthehet në makth për njerëzit.

Të kemi një qeveri që shpenzon paratë e shqiptarëve me garë dhe meritokraci apo një qeveri që i shpenzon për klientët e saj.

Të kemi një shtet me institucione apo të kemi një parti-shtet. Vetëm LSI do të mblidhte qindra të mijëra të rinj e të reja në sheshin Nënë Tereza. Lista e LSI është ajo fituese, e këtë e tregon kjo pjesëmarrëse në këtë shesh. Lista e LSI është fitorja e të rinjve dhe të rejave, fitorja e të gjithë shqiptarëve. Ka vetëm një alternativë, përballë profesionistëve, të LSI ndodhen rilindasit që grabiten vendin, e braktisën.

Ndodhen ata që terrorizojnë administratën për të dalë në shesh, vetëm e vetëm nga frika e këtij takimi të mrekullueshëm në sheshin Nënë Tereza. Ju e dini shumë mirë për mesazhet kërcënuese që i çohej administratës për të dalë në sheshin Skënderbej, por socialistët e ndershëm i përgjigjeshim, do të marrë pjesë në miting por në krahun tjetër të sheshin, aty tek LSI. Shqiptarët do të votojnë për ndryshimin duke votuar numrin 6, sepse ne kemi vënë zemrën e gjithçka që kemi për Shqipërinë.

Për të realizuar ëndrrën për të pasur një Shqipëri të vërtetë. Për atë që kanë ëndërruar studentët e dhjetorit, prindërit tanë, që kanë punuar për ndërtimin e Shqipërisë, ne do u japim shqiptarëve atë mundësi që Rama ua mori. Do u japim mundësi shqiptarëve për të pasur shëndetësi të mirë, e jo me 100 standarde sipas Edi Ramës, por për të pasur një shëndetësi të vërtetë. Ne, do t’u japim shqiptarëve një arsim cilësor, ku fëmijët e familjeve shqiptarëve të kenë mundësi të shkollohen me dinjitet dhe me një arsim cilësor, në mënyrë që studentët shqiptarë të konkurrojnë në tregun e punës me dinjitet. Ne do të ndërtojmë një Shqipëri ku politikanët nuk shihen si mashtrues, por do të jenë ata që do të mbajnë fjalën, sepse LSI e mban fjalën, të rinjtë e të rejat tek ne, luftojnë për Shqipëri Evropiane.

Të dashur miq, ne sot, jemi në ditën e fundit të mitingjeve, sepse nesër që është dita e fundit e fushatës e pasnesër është dita më e rëndësishme e LSI, sepse këto dy ditë janë ditët më të rëndësishme për të punuar çdo sekondë me qytetarët, për t’i mësuar si votojnë, e të mos e bëjnë fletën e pavlefshme. Të mos bien pre e bandave të rilindjes, të patronazhistëve të Edi Ramës dhe fuksave të Veliajt. Ne do të kujdesemi për qytetarin, ashtu siç kujdeset nëna për fëmijën e tij.

Ne do të kujdesemi për të rinjtë e të rejat shqiptarë, në mënyrë që ata të jetojnë dinjotoz pranë gjyshërve të tyre. LSI do të ndërtojë një Shqipëri ku biznesi nuk falimentohet për shkak të bindjeve politike. Do të krijojmë një klimë biznesi. 25 prilli do t’iu kthejë qytetarëve sovranitetin e tyre, pasi qytetarët shqiptarë do të vendosin për të ardhmen e Shqipërisë.

Vota e shqiptarëve do e bëjë ndryshimin. Qeveritë dhe qeveritarët ju e dini shumë mirë janë kalimtarë, e dini shumë mirë keni parë shumë kryeministra ministra, keni parë njerëz që kanë ardhur në pushtet dhe e kanë shpërdoruar atë. Më 25 prill do i jepni fund pushtetit të individëve dhe do e ktheni popullit, sepse vota juaj është qeveria më e fortë”, tha Kryemadhi.

Shtuar 22.04.2021 08:04