Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste duket se kanë ndryshuar strategjinë në rrjetet sociale gjatë këtyre zgjedhjeve, ndryshe nga ato të vitit 2021 ku harxhuan shuma të mëdha parash për sponsorizimin e mesazhit në Facebook dhe Instagram.
Siç konstaton Skyweb.al, të paktën deri më datë 22 prill, as PS dhe as Rama nuk kanë harxhuar asnjë cent në platformën META (Facebook & Instagram) për qëllime sponsorizimi. Duket se këtë strategji është duke e ndjekur edhe kreu i PD, Sali Berisha nga faqja e tij,ndërsa PD ka nisur të shpenzojë vetëm gjatë muajit të fundit me një total prej rreth 900 dollar.
Ndërkohë, ndryshe paraqitet situata te partitë dhe kandidatët që kërkojnë të konfirmohen në këto zgjedhje, të cilët siç vëren Skyweb.al, janë duke harxhuar shuma të mëdha në META për të sponsorizuar video dhe foto nga mesazhet dhe takimet e tyre.
Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj listohet i parti për nga shuma e parave të shpenzuara në platformën META me 25 967 dollar nga 23 janari deri në 22 prill. Rezulton se nga marsi 2021 deri në 22 prill 2025, z.Shehaj ka harxhuar 66 483 dollar në META. Shehaj harxhon një mesatare prej rreth 400-500 dollar në ditë gjatë javës së fundit.
Në vend të dytë renditet znj.Jorida Tabaku, e cila reklamon nga dy faqe me një totaj prej rreth 13 300dollar të harxhuara në META gjatë 90 ditëve të fundit, ndërsa që prej vitit 2021 ajo rezulton të ketë harxhuar rreth 13 500 dollar.
Pas Tabakut, në vend të tretë për nga shpenzimet për reklama në META është kandidati i PD, Grigels Muçollari me rreth 8 800 dollarë dhe në vend të katërt, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet me rreth 6 mijë dollar.
Muçollari ka rritur ndjeshëm shpenzimet në META gjatë muajit të fundit duke harxhuar mesatarisht 200 dollarë në ditë. Në të njëjtat tregues paraqitet edhe PDIU për muajin e fundit.
Më pas, renditen kandidatja e Koalicionit Euroatlantik, znj.Taulanda Jupi me 4 500 dollar të shpenzuar në tre muaj, me një rritën të shtuar gjatë muajit të fundit; Vullnet Sinaj me rreth 4 200 dollar; Gazment Bardhi dhe Endri Hasa me nga 4 000 dollar; Shqipëria Bëhet me 3 900 dollar. Po kaq ka shpenzuar edhe Endri Shabani gjatë tre muajve të fundit.
Kandidatja e PD Andia Ulliri rezulton të ketë shpenzuar 1 800 dollar, ndërsa pas saj vijnë Bujar Leskaj dhe Vasil Llajo me nga 1 600 dhe 1 400 dollar.
Akil Kraja i Aleancës për Shqipërinë Madhështore dhe Pëllumb Seferi i Koalicionit Euroatlantik kanë harxhuar nga 1 000 dollar. /skyweb.al