Pas protestës së mbajtur për disa orë përpara Kryeministrisë, mijëra qytetarë vijuan marshimin nëpër rrugët e Tiranës, duke përsëritur si çdo ditë kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
Më pas, pas mbylljes së tubimit, protestuesit u drejtuan nga Komisariati nr. 3, ku që prej paradites mbahen të shoqëruar mbi 10 qytetarë, pas protestës së zhvilluar më herët para Kuvendit, e cila u shoqërua me përplasje fizike me policinë.
Të lidhura
None found
Në fillim turma kaloi nga qendra e Tiranës, më tej u zhvendos në zonën e njohur si “9-Katëshet” dhe më pas vazhdoi në rrugën “Mine Peza”, aty ku ndodhet Komisariati nr. 3 dhe ku po mbahen disa prej protestuesve.
Gjatë lëvizjes nëpër kryeqytet, qytetarët dëgjoheshin teksa thërrisnin “Lironi çunat” dhe “Polici e krimit”, ndërsa marshimi vijoi në drejtim të komisariatit.
Në të njëjtën kohë, protestuesit risollën në fokus kërkesën kryesore të kësaj proteste 33-ditore për largimin e kryeministrit Edi Rama, duke brohoritur “Rama jep dorëheqjen” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”. Mes thirrjeve u dëgjua edhe slogani kundër klasës politike: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Protesta e sotme pasoi tensionet e raportuara më herët përpara Parlamentit, ku u regjistruan përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit, si edhe përdorimi i gazit lotsjellës dhe sprajit me piper nga policia.
