Kurti në Poklek: Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Poklek ka përsëritur edhe një herë qëndrimin se Kosova duhet ta padisë Serbinë për gjenocidin e kryer para 22 vjetësh.

Kurti ka thënë se partneriteti me ndërkombëtarët, por sidomos me NATO-n i jep Kosovës “sigurinë për paqen, siç na dha më 12 qershor 1999”.

Pokleku, ka thënë Kurti, është monument dhe dëshmi e gjenocidit serb kundër shqiptarëve në Kosovë.

Ka shtuar se populli i Kosovës është i mbijetuar i fushatës vrastare shtetërore serbe, prandaj duhet që të dëshmojë para botës.

“Serbia ende qeveriset nga persona që kanë qenë ministra e zyrtarë të lartë në kohën kur këto masakra janë urdhëruar e zbatuar. Sigurisht, ata sot nuk mund të vijnë më të na pushtojnë e të na vrasin, por ëndrrat e tyre jo vetëm nuk i mohojnë por i proklamojnë vazhdimisht, me investimet e shfrenuara për armatim modern duke blerë armë prej Rusisë, Bjellorusisë e të tjera. Pse armatoset Serbia, ky vend që ende nuk ka kërkuar falje për krimet masive që ka bërë 22 vite më parë. Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid. Vrasjet e civilëve, grave shtatzëna, të miturve, foshnjave, pleqve, përdhunimi i përdorur si armë luftë janë dokumentuar e po dokumentohen”, ka thënë Kurti.

Shtuar 12.06.2021 15:53