“Kurti e Osmani duhej të reagonin fuqishëm pasi Vuçiç publikoi hartën e Kosovës me flamurin serb”

Provokimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç nga shteti i Kosovës kanë kaluar me reagime të zbehta. Për këtë vobektësi të këtyre reagimeve të institucioneve të vendit karshi provokimit të presidentit serb, analistët janë kritik.

Ditë më parë i pari i shtetit serb publikoi hartën e Kosovës me flamurin serb. Ky postim i Vuçiq ka ngjallur reagime te qytetarët por reagimet nuk ishin të forta të përfaqësuesve të institucioneve të shtetit vlerësojnë opinionistët.

Profesori Milazim Krasniqi thotë se udhëheqësit e institucioneve të Kosovës karshi provokimit të Vuçiqit do të duhej të ishin më të ashpër.

“Për këtë gjë do të duhej të reagohej në mënyrë shumë më të fortë veçmas nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani të cilët pritet që të qeverisin vendin sepse realisht atyre tash u ka mbet në dorë patatja e nxehtë e dialogut me Serbinë”, tha Krasniqi për RTK-në.

Tutje Krasniqi tha se deklarata e Vuçiqit është vërtetim i partneritetit me patriarkun serb të cilët Kosovën e shohin si Jerusalemin serb.

“Terminologjia kishtare e Vuçiit në të vërtetë vërteton platformën e kishës për Kosovën si tokë e shejt serbe e cila duhet të çlirohet dhe prandaj kjo i ka edhe elementet e një ideologjie të kryqëzatës”, theksoi ai.

Shtuar 21.03.2021 11:03