Kryetari i ri i Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama, ka rrëfyer në një intervistë para zgjedhjeve për vështirësitë që e kishin përcjellë kur kishte shkuar në Londër në fillim të viteve të ’90-ta. Rama ishte vetëm 16-vjeç, kur e sfidoi veten duke u zhvendosur në Londër.
“Për një 16-vjeçar në atë kohë, ka qenë një sfidë e madhe, sepse si një tenejxher është dëshirë me dalë me shoqni e kjo na ka mungu shumë. Kështu që mundësia për me shku në Londër me 8 korrik të vitit 1992, ka qenë një moment euforik, pra kam mundësi me dal për herë të parë prej Prishtinës”, ka deklaruar Rama.
Rama ka treguar se në atë kohë kushtet ekonomike kishin qenë shumë të vështira dhe se babai i tij kishte marrë borxh për ta dërguar në Londër.
Kryebashkiaku ka folur edhe për punët e para që ka bërë në Londër, derisa ka treguar se për dy muaj ka pasur vështirësi që ta ndalnin në punë shkaku i mungesës së eksperiencës.
“Kushtet ekonomike ishin shumë të vështira, kështu që u dasht me marr borxh baba për me më mundësu mu me shkuar në Londër. Kur mbërrina në Londër, Londrën e pata prit krejt ndryshe e pata prit me qenë si Neë York, si Amerika, por ka qenë diçka krejt tjetër. Kam la enë, kam maru sanduiça, kam shkep fleta për marketing, pra kanë qenë punë të ndryshme.
Edhe fillimisht as nuk më mbajshin as në punë se thojshin se s’ki eksperiencë. Ishte vështirë, sepse doja me i ba ato 3 mijë marka që ua pata marrë prindërve borxh, edhe s’kam gjetë punë deri mbas dy muajve”, ka deklaruar Rama./albeu.com/