Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, prezantoi sot para një delegacioni të Bashkimit Evropian progresin e arritur në reformat e sistemit prokurorial, në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së. Delegacioni udhëhiqej nga Valentina Superti, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian. Me këtë rast, ai rikonfirmoi përkushtimin e KPK-së për zbatimin e reformave që fuqizojnë sundimin e ligjit dhe afrojnë sistemin me standardet evropiane.
Njoftimi:
Të lidhura
None found
Në këtë takim, z. Gashi vuri theksin te rezultatet konkrete të reformave, duke përfshirë zhvillimin e mëtejmë të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), përforcimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe të monitorimit të performancës së prokurorive, si dhe përparimin në sekuestrimin, ngrirjen dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar nga veprat penale.
Kryesuesi Gashi nënvizoi se Këshilli Prokurorial i Kosovës mbetet i angazhuar në vijimin e reformave që shtojnë efikasitetin, transparencën, integritetin dhe llogaridhënien institucionale, ndërsa e cilësoi mbështetjen e Bashkimit Evropian si thelbësore për forcimin e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
