Në kuadër të përgatitjeve për shënimin e 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës mirëpriti një delegacion amerikan nga iniciativa “America250”, ku bënin pjesë profesorë, drejtues organizatash, veteranë ushtarakë dhe aktivistë të kësaj nisme.
Gjatë takimit, gjeneral Jashari shprehu mirënjohje për vizitën e delegacionit dhe për angazhimin e tyre në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e pandërprerë të Shteteve të Bashkuara për Republikën e Kosovës, me theks të veçantë te partneriteti i afërt dhe bashkëpunimi shumë i mirë mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe institucioneve amerikane të mbrojtjes.
Të lidhura
None found
Më tej, gjeneral Jashari i njoftoi të pranishmit për zhvillimet e fundit në FSK dhe ngritjen e kapaciteteve të saj, duke u ndalur edhe te roli që kjo forcë ka për sigurinë e vendit dhe ndikimi i saj i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Nga ana e tyre, profesori Serwer dhe delegacioni amerikan shprehën vlerësim për progresin dhe arritjet e deritanishme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si edhe për kontributin e saj në misionet ndërkombëtare. Në takim u diskutua edhe situata e sigurisë në rajon, ndërsa palët ndanë pikëpamjet e tyre mbi rëndësinë e avancimit të FSK-së drejt integrimit në strukturat euroatlantike, përkatësisht në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Në përfundim të takimit, GLT Jashari i uroi delegacionit amerikan jubileun historik të 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, duke nënvizuar se ky përvjetor përfaqëson miqësinë e qëndrueshme mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe partneritetit strategjik.
Në fund, të dyja palët ritheksuan përkushtimin për ta thelluar bashkëpunimin ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe institucioneve amerikane të mbrojtjes, duke vënë në pah se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës mbetet faktor kyç për sigurinë, stabilitetin dhe paqen afatgjatë në rajon.
