Kriza energjetike, në Kosovë nisin kufizimet e energjisë elektrike

Nga e hëna (15 gusht) Kosova nis kufizimet e energjisë elektrike për të gjithë konsumtorët.

Mediat në Kosovë kanë publikuar urdhëresën nga Qendra Nacionale Dispecerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës.

Këto kufizime, sipas njoftimit të KEDS-it, në bazë të planit të dërguar do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumtorët.

“Pra, konsumatorët gjatë ditës së hënë do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime”, thuhet në njoftim.

“Prej nesrit, vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor. Kjo, pasi KEDS dhe KESCO nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë.

Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit.

Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi”, thuhet më tej në njoftim.’

Prej ditës së hënë (15 gusht)  vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor.

“Sot, disa muaj pas, të gjitha mundësitë financiare janë shterruar. Dy kompanitë, pra KEDS dhe KESCO nuk mund të bartin më të vetme barrën e krizës botërore energjetike dhe pasojat e saj në Kosovë. Kërkohet me urgjencë edhe veprimi i aktërëve tjerë në mënyrë që së bashku ta përballojmë këtë krizë”, vijon njoftimi i KEDS-it.