Kritika të shumta, Franca heq flamurin e BE-së në “Harku-n e Triumfit”

Flamuri europian në monumentin e famshëm “Harku i Triumfit” në Paris u hoq gjatë fundjavës, pasi mbajtja e tij ngjalli kritika mes politikanëve të krahut të djathtë. Zyrtarët francezë thanë se flamuri europian u hoq në përputhje me instalimin e tij të planifikuar, ndërsa politikanët e krahut të djathtë e quajtën atë një fitore të tyren, shkruan euronews

Politikanët e ekstremit të djathtë kishin pretenduar se flamuri francez ishte hequr dhe zëvendësuar me atë europian, të cilin zyrtarët e qeverisë franceze e mohuan.

“Nuk kishte një flamur francez që u hoq në Harkun e Triumfit, ai nuk u zëvendësua nga flamuri europian,” tha ministri francez i çështjeve evropiane Clément Beaune, duke shtuar se ishte një “lëvizje e guximshme” për Europën.

“Flamuri europian u instalua aty ku nuk kishte asgjë,” shpjegoi Beaune.

Simboli kishte për qëllim të shënonte marrjen e presidencës së Këshillit të BE nga Franca gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Beaune mohoi se heqja e shpejtë e flamurit të BE-së nga qeveria një ditë pas instalimit të tij ishte një përmbysje e politikës së tyre. Disa kandidatë presidencialë francezë kanë nisur fushatat e tyre përpara zgjedhjeve të prillit 2022.

Valérie Pécresse, kandidatja presidenciale e krahut të djathtë, tha se presidenti Emmanuel Macron kishte një problem me historinë franceze, ndërsa kandidatja presidenciale e ekstremit të djathtë Marine Le Pen përshëndeti një “fitore patriotike”.

Ndërkohë kandidati i majtë Jean-Luc Mélenchon tha se qeveria duhet të respektojë protokollin për të pasur gjithmonë flamurin e BE-së me atë francez, duke e denoncuar këtë veprim si një “kapriço”.


Shtuar 3.01.2022 16:51