Masat e reja të Covid hyjnë në fuqi nesër, këto janë kategoritë që duhet të paraqesin pasaportën e vaksinimit

ga dita e nesërme në vendin tonë do të futen në fuqi masat e reja të vendosura nga Komiteti i Ekspertëve që zgjeron harkun e kategorive të cilat duhet të jenë të vaksinuara.

Kështu nga nesër duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit të gjithë punonjësit e administratës publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare si kategori që përbëjnë rrezik për të tjerët.

Në mbledhjen e fundit të Komitetit, kryetarja Mira Rakacolli kujtoi edhe njëherë vendimin duke deklaruar se dokumenti ka nisur të gjenerohet edhe në sistemin E-Albania.

“Ju kujtoj që në datën 4 janar të gjithë punonjësit e administratës publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare si një kategori që përbëjnë rrezik për të tjerët do të paraqesin dokumentin e vaksinimit ose çertifikatat e shërimit me vlefshmëri deri në 6 muaj pas ditës së shërbimit. Kjo çertifikatë ka filluar të gjenerohet edhe në sistemin e-albania”, tha Rakacolli.

Masat në fuqi janë si vijon:

Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00, përveç natës së ndërrimit të viteve.

Punonjësit e administratës publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare do të paraqesin dokumentin e vaksinimit ose çertifikatat e shërimit me vlefshmëri deri në 6 muaj pas ditës së shërbimit, duke filluara nga data 4 janar 2022,

Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:

  1. Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
  2. Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
  3. Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
  4. Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit. 
  • Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
  • Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.


Shtuar 3.01.2022 17:04