Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar pas deklaratave të deputetit socialist Erion Braçe, i cili ngriti dyshime nëse subjekti “Neomalsore Agroturizëm”, i lidhur me Koçekun, ka certifikatë pronësie për tokën ku zhvillon aktivitetin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku e kundërshtoi me ironi qëndrimin e Braçes. Ajo deklaroi se familja e saj ka jetuar prej tre brezash në atë zonë, por ende nuk ka dokumente pronësie për tokën. Sipas deputetes, kjo situatë ngre pyetjen nëse përgjegjësia u takon banorëve apo shtetit, i cili ndër vite nuk ka zgjidhur problemet e pronësisë.
Të lidhura
None found
“Jo, zoti Braçe, nuk i kam letrat. Nëna ime ka ardhur vajzë aty, është bërë nënë dhe është bërë gjyshe. Ka tre breza aty dhe zero dokumente”, shkroi Koçeku.
Më tej, ajo e pyeti deputetin nëse mungesa e dokumentacionit lidhet me vullnetin e pamjaftueshëm të prindërve të saj dhe banorëve të zonës, apo me mosveprimin e institucioneve shtetërore.
“Pra, më thuaj ti mua: a u ka munguar vullneti prindërve të mi dhe banorëve të atyre zonave, apo i ka munguar vullneti shtetit? Ma shpjego ti mua, që e ke në legjislaturë pothuajse aq sa unë kam vite jetë”, u shpreh deputetja.
Reagimi i Marjana Koçekut vjen në kuadër të debatit për pronësinë dhe dokumentet e tokave ku ushtrohen aktivitete ekonomike në zonat rurale.
