KLP nis procedurën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, aplikimet të hapura për 30 ditë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi këtë të enjte një seancë plenare, gjatë së cilës miratoi nisjen e procedurës administrative për përzgjedhjen e kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke çelur thirrjen publike për aplikime.

Sipas përcaktimeve ligjore, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë zgjidhet nga Kuvendi me shumicë të cilësuar prej tre të pestash të të gjithë deputetëve, mes emrave që propozohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Mandati i tij zgjat 7 vjet dhe nuk lejohet rinovimi. Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Olsian Çela, mandati i përfundon më 5 dhjetor 2026.

Të lidhura

None found

Kandidatët do të kenë në dispozicion 30 ditë për të dorëzuar aplikimet, afat që nis nga dita e shpalljes së thirrjes publike.

Në zbatim të nenit 22 të ligjit nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si edhe të rregullores së miratuar nga Këshilli, aplikantët duhet të përmbushin një sërë kriteresh.

Një prej kushteve është që kandidati të ketë 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur.

Po ashtu, ai duhet të jetë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të zotërojë gradë shkencore në drejtësi.

Kandidatët nuk duhet të kenë arritur moshën e daljes në pension, sipas nenit 64, pika 3, të ligjit nr. 96/2016.

Një tjetër kriter është që gjatë 10 viteve të fundit të mos kenë ushtruar funksione politike në administratën publike.

Gjithashtu, në 10 vitet e fundit nuk duhet të kenë mbajtur poste drejtuese në partitë politike.

Kërkohet edhe që të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë apo të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit përpara datës 2 korrik 1991.

Po kështu, nuk duhet të jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

Kandidatët nuk duhet të kenë qenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës.

Një kusht tjetër është që të mos kenë asnjë masë disiplinore në fuqi.

Pas mbylljes së afatit të aplikimeve, Këshilli do të vijojë me verifikimin e dokumenteve, vlerësimin e kandidatëve dhe ndjekjen e hapave të tjerë të procedurës së përzgjedhjes, në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe rregulloren përkatëse.