Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka rrëzuar kërkesën e ish- deputetit të PS, Jurgis Çyrbjas, për shuarjen e masës “Arrest në burg”.
Vendimi u mor sot, 20 shkurt, ndërsa kërkesa e Çyrbjas kishte si objekt shfuqizimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, e cila ishte caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
I pandehuri kishte kërkuar shuarjen e masës me argumentin e përfundimit të dënimit të dhënë me vendimin nr. 68, datë 03.11.2025, po nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Pas shqyrtimit të kërkesës, Apeli vendosi rrëzimin e saj, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Akuzat dhe dënimi
Kujtojmë Gjykata e Posaçme vendosi më 3 nëntor 2025 që të deklarojë fajtor ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja dhe ta dënojë atë me 3 vjet burg për veprat penale të korrupsionit në zgjedhje, përkrahjes së krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 2 vite.
Sipas hetimeve ish-deputeti Jurgis Çyrbja kishte konsumuar në tetë raste veprën penale tregtim i sekretit shtetëror, në pesë raste veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit si dhe korrupsion zgjedhor në mars të vitit 2021. Por pavarësisht episodeve të shumta, prokurori kërkoi dënimin përfundimtar të Çyrbjes me 2 vjet burg në aplikim të gjykimit të shkurtuar.
