Kërcënohet me jetë ministri i Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë së Belgjikës, Vincent Van Quickenborne, është kërcënuar me jetë.

Lajmin e bënë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave, zyra e prokurorit federal njoftoi të shtunën se ai është vënë nën mbrojtje të shtuar policore.

Gjithashtu për këtë rast, janë arrestuar tre persona në Holandë.

Sipas të përditshmes flamande Het Laatste Nieuws, “të paktën” një pushkë dhe shishe të mbushura me benzinë u zbuluan brenda një automjeti të regjistruar në Holandë, të parë pranë shtëpisë së ministrit.

Zyra e prokurorisë federale belge tha në një deklaratë për shtyp se tre persona janë arrestuar gjatë natës nga e premtja në të shtunën në Holandë.

Burrat janë të gjithë shtetas holandezë, të moshës 20, 29 dhe 48 vjeç, sipas zyrtarëve. Është kërkuar transferimi i tyre në Belgjikë.

“Unë dhe familja ime jemi të sigurt. Lufta jonë kundër krimit të organizuar vazhdon. Me më shumë fuqi punëtore dhe burime se kurrë. Ne kurrë nuk do t’i përkulemi dhunës”, shkroi z. Van Quickenborne në Twitter.

Zyra e prokurorisë federale belge konfirmoi se ishte “informuar gjatë javës së fundit për një kërcënim të mundshëm” ndaj Ministrit të Drejtësisë.

Një hetim i drejtuar nga një gjyqtar “tregoi shpejt se ky kërcënim duhet të merret seriozisht”.

Ministri është vënë nën mbikëqyrje më të rreptë policore dhe nuk do të marrë pjesë në ngjarjet e ditëve në vijim si masë sigurie.