Keni ëndërr Gjermaninë? Mijëra vende pune për të kualifikuarit

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar, sipas DIHK-së, pritet të frenojë rritjen ekonomike. Në raportin e fundit të kësaj shoqate lidhur me tregun e punëtorëve të kualifikuar –raport që është i bazuar në hulumtimin e rreth 23,000 kompanie – DIHK tha se mungesa e personelit aktualisht paraqet rrezikun më të madh për industrinë gjermane.

Sipas raportit të Shoqatës së Dhomave gjermane për Industri dhe Tregti, 51 për qind e firmave, të paktën, pjesërisht kanë probleme për të gjetur punëtorë. Në vjeshtë, vetëm 32 për qind e firmave raportuan se e kishin këtë problem dhe kjo përqindje i atribuohet pandemisë. Para krizës me pandeminë, 47 për qind e firmave raportuan se kishin probleme të gjenin punëtorë të kualifikuar.

Sipas të dhënave, mungesa më e madhe e punëtorëve është në industrinë e ndërtimit, në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe në inxhinierinë mekanike.

Në përgjithësi, 85 për qind e kompanive thonë se mungesa e punëtorëve të kualifikuar do të ketë ndikim negativ. Sipas raportit, 43 për qind presin që të humbasin apo do të detyrohen që të refuzojnë porositë apo të reduktojnë gamën e produkteve dhe shërbimeve të tyre, nëse nuk arrijnë që të gjejnë punëtorë. Më 2019, kjo përqindje ishte 39.

Zëvendësdrejtori i DIHK-së, Achim Dercks ka paralajmëruar se nëse problemi i mungesës së punëtorëve të kualifikuar mund të përkeqësohet në vitet e ardhshme, pasi shumë punëtorë po dalin në pension./REL


Shtuar 22.11.2021 13:54