Kalon në gjykatë dosja e ish-gjyqtares Margjeka: Për çfarë akuzohet ajo, bashkëshorti e bashkëpunëtorët

Ka kaluar për gjykim dosja ndaj ish-gjyqtares së Korçës, Mimoza Margjeka e cila dyshohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Të pandehur për këtë çështje janë marrë gjyqtarja Margjeka, bashkëshorti i saj Arben Cara, avokati Skënder Demiraj, Nejton Bali, dhe Klaudio Zhilla.

Mbi Margjekën rëndon akuza e “korrupsionit pasive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë publikë”, e cila parashikohet në nenin 319/ç e 25 të Kodit Penal.

Nuk dihet ende se cila është pretenca e SPAK për gjyqtaren dhe as sa vite dënimi ajo rrezikon, ndërkohë që Margjeka në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka marrë para, kundrejt dhënies së një dënimi lehtësues.

Gjyqtarja e Korçës akuzohet se nëpërmjet bashkëshortit të saj, Arben Cara, ka marrë 6 mijë euro ryshfet për të liruar një të arrestuar që transportonte emigrantë të paligjshëm.

Sipas SPAK, Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe avokati Skënder Demiraj, i kanë dhënë Arben Carës shumën e parëve, që bashkëshortja e tij gjyqtare të lironte të akuzuarin Orion Bali.

SPAK thekson se ka përgjime ambientale dhe telefonike, që vërtetojnë skemën, prandaj akuzon gjyqtaren Mimoza Margjeka dhe Arben Carën për korrupsion pasiv në bashkëpunim.

Vetë Margjeka e ka cilësuar politik procesin ndaj saj, për shkak se ajo nuk pranoi të certifikonte ish-kryebashkiaken e PS, të dalë fituese nga zgjedhjet e 30 Qershorit 2019, Valbona Sakon.

Shtuar 7.05.2021 02:05