Juve-Milan, dueli vendimtar për të ardhmen e Ronaldos dhe Donnarummas

Cristiano Ronaldo, jeton për Ligën e Kampionëve, ndërsa portieri i Milanit, Gianluigi Donnarumma, nuk dëshiron që të mungojë në garën më të madhe evropiane në sezonin e ardhshëm.

Të dielën, dy skuadrat e mëdha italiane zhvillojnë përballjen e drejtpërdrejtë për një vend në top-katërshe.

Katër javët pa përfunduar Serie A, bardhezinjtë dhe kuqezinjtë kanë pikë të barabarta (nga 69), po aq sa ka edhe Atalanta, ndërsa Napoli ka dy pikë më pak, derisa edhe Lazio (64 pikë) mbetet matematikisht në garë. Vetëm kampioni Interi e ka siguruar kualifikimin.
Milani është akoma në pritje të Donnarumma, me të cilin nuk ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës.
Sipas La Gazzetta dello Sport, vetëm kualifikimi në Ligën e Kampionëve do ta bindë portierin italian të qëndrojë.

Në javët e fundit madje është spekuluar se pikërisht Juventusi është duke e kërkuar 22-vjeçarin. Agjenti i tij, Mino Raiola, ka thënë se ka marrë oferta me pagë vjetore prej 10 milionë eurosh.

Në anën tjetër, Juventusi është në një situatë të veçantë me Ronaldon, i cili është rreth 31 milionë euro në sezon edhe në periudhën e pandemisë së coronavirusit.

Portugezi dëshiron të largohet, mirëpo Zonja e Vjetër e ka të vështirë që të gjejë klub për shitjen e tij. Duke qenë në vitet përfundimtare të karrierës, CR7 nuk e ka në plan të mungojë në Ligën e Kampionëve.

Për më shumë, në rast të moskualifikimit, as Juve nuk do të arrinte t’ia jepte pagën e majme, si edhe nuk do të mund ta zëvendësonte, pasi do t’i mungonin të hyrat e mëdha nga gara evropiane.

Skuadra që do të humbë të dielën rrezikon të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve, prandaj nëse i ndodh Juventusit, atëherë do ta humbë edhe Ronaldon; teksa nëse i ndodh Milanit, pritet ta humbë Donnarumman.

Shtuar 6.05.2021 10:05