Ish-komandanti i KFOR: NATO ta ngrijë partneritetin ushtarak me Serbinë, Putin pjesë aktive e konfliktit

Tabloidi gjerman “Bild” i ka kushtuar një artikull situatës së krijuar mes Kosovës dhe Serbisë pas sulmit terrorist që la të vrarë një polic të Kosovës. Ky medium shtroi pyetje nëse ka kërcënim për një luftë të re, nëse ka dorë presidenti rus në këtë dhe mbi rolin e BE-së.

Erhard Bühler, një gjeneral në pension dhe ish-komandant i KFOR-it, thotë se ngjarjet aktuale në kufi janë “shqetësuese” dhe se ato duhet të marrin fund.

“Rusia dhe Serbia, Putini dhe Vuçiq, mbështeten në konfliktet e ngrira etnike në Ballkan, të cilat mund t’i rindezin në çdo kohë. Putin është padyshim një pjesë aktive e këtij konflikti”.

Ai thotë se dialogu politik duhet të vazhdojë, por se ushtria serbe nuk duhet të trajtohet si aleate e NATO-s.

“BE dhe NATO duhet të vendosin sanksione ndaj Beogradit. NATO e trajton ushtrinë serbe si partnere dhe e fton në stërvitje. Politikisht duhet të vazhdojmë të flasim, por partneriteti ushtarak tani duhet të ngrihet”, tha Bühler për Bild./Express/


Shtuar 3.10.2023 17:55