Nis procesi gjyqësor në themel për ish-deputetin e PS, Alqi Bllako, për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Bllako akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste. Ky i fundit ka kërkuar që të gjykohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar, ç`ka do të thotë se, nëse shpallet fajtor, do t’i ulet 1/3 e dënimit.
SPAK relaton në mënyrë të përmbledhur provat dhe faktet që disponon në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës, duke dhënë edhe argumentet se përse kërkon dënimin e Alqi Bllakos.
Gjatë hetimeve janë konstatuar veprime të kundraligjshme të kryera nga i pandehuri, në kohën kur ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.
Dyshohet se ka përfituar para në vlerën e rreth 120 mijë euro dhe 7 milion e 520 mijë lekë nga Vladimir Bezhanin, nga shoqëria koncesionare për ndërtimin e inceneratorit.
Bllako i ka propozuar Bezhanit, që të ofronte konsulencë juridike për çështjen e inceneratorit të Tiranës, para se të bëhej propozimi i pakërkuar në lidhje me këtë çështje.
Bllako i ka kërkuar Klodian Zotos që ta punësojë, në atë kohë Bezhan ishte këshilltar i jashtëm i ministrit Koka, edhe pse paguhej nga shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.
37 fashikuj janë paraqitur nga SPAK për çështjen e Alqi Bllakos. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme vendos që të pranojë kërkesën e Alqi Bllakos për gjykim të shkurtuar.
Kërkesa është paraqitur në seancën paraprake dhe po e njëjta kërkesë u bë nga Bllako edhe ditën e sotme në sallën e gjyqit.