“Ikim për kafe”, si merrej vesh grupi i shqiptarëve që grabiste pasanikët në Mykonos

Mediat greke bëjnë me dije se një grup të rinjsh me origjinë shqiptare kishin krijuar një bandë dhe grabisnin pasanikët në ishullin grek të Mykonos.

Këta të fundit kishin fjalorin me kodet e tyre duke mos përdorur asnjëherë terma si “vjedh”, ndërkohë që në vend të tij, kur kishin ndërmend të bënin vjedhje përdornin “hajde pimë kafe”.

Policia arrestoi 7 persona , të moshës 22 deri në 36 vjeç dhe u sekuestroi atyre më shumë se 300 mijë euro cash, telefona, çanta dhe bizhuteri të shtrenjta, të cilat ia kishin marrë miliarderëve që vizitonin Mykonosin.

Një ndër rastet më të famshme të grabitjes ishte futja në vilën e marrë më qira nga një miliarder 37-vjeçar nga Dubai, të cilit i morën para, bizhuteri dhe dy telefona të shtrenjtë. Të njëjtin fat pati edhe një tjetër miliarder nga Libani, 63-vjeçar, i cili po merrte me qira një vilë në Panormos. Ai u grabit gjithashtu, ndërsa autorët morën një shumë parash dhe dy telefona celularë me vlerë të lartë.

Kjo bandë ishte aktive të paktën që nga nëntori i vitit 2020 dhe drejtohej nga një 34-vjeçar i cili kishte ngritur dy grupe që kryenin vjedhje në shtëpitë luksoze në Mykonos.

Shtuar 5.07.2021 18:21