I premtoi një shtetasi Australinë dhe e braktisi në Indonezi, arrestohet në Spanjë 64-vjeçari i dënuar më 10 vjet burg

Policia e Madridit ka kapur dhe ekstraduar drejt Shqipërisë 64-vjeçarin Luan Bundo të dënuar me 10 vite burg në Tiranë për kalim të paligjshëm kufiri dhe për veprën penale “Mashtrimi.

Luan Bundo i ka premtuar shtetasit M. P. se do ta shoqëronte për në Australi, kundrejt pagesës. Të dy së bashku kanë shkuar fillimisht në Indonezi dhe prej atje, me një peshkarexhë që drejtohej nga njerëz të cilët ishin njohje me shtetasin Luan Bundo, do të kalonin ilegalisht për në Australi. Familjaret e shtetasit M. P. kanë humbur kontaktet me të dhe më pas nuk kanë patur asnjë komunikim apo informacion për vendndodhjen e tij.

Njoftimi i policisë:

Interpol Tirana

Vijon bashkëpunimi me homologët, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kapet në Spanjë dhe ekstradohet drejt Shqipërisë, një shtetas i dënuar me 10 vite burg.

Nga Interpol Tirana është bërë ekstradimi nga Spanja drejt Shqipërisë, i shtetasit Luan Bundo, 64 vjeç.

Shtetasi Luan Bundo është arrestuar nga autoritetet policore në Madrid, pas shkëmbimit të informacionit policor mes Interpol Tiranës me Interpol Madridin, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2016, e ka dënuar këtë shtetas me 10 vjet burg, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2016, e ka dënuar këtë shtetas me 2 vite të tjera heqje lirie, për veprën penale “Mashtrimi”./albeu.com


Shtuar 17.07.2021 10:48