Në Bullgari ka nisur një ekspertizë e re për aksidentimin e autobuzit të Besa Trans, ku humbën jetën 45 persona.
Lajmin e bëri të ditur Nikollaj Dimitrov, avokati një pjese të familjeve të udhëtarëve të vdekur dhe të lënduar nga aksidenti në autostradën Struma në Bullgari, i cili ka deklaruar për MIA se inspektimi në terren tashmë ka filluar.
Grupi i ekspertëve e ka nisur inspektimin tre kilometra nga aksidenti i autobusit dhe qëllimi është të tregojë nëse ka rrethana shkak-pasojë që kanë çuar deri në aksident.
Kontrollohet sipërfaqja e rrugës, shenjat dhe të gjithë elementët e tjerë që mund t’i përgjigjen pyetjes se si ka ndodhur saktësisht aksidenti.
Avokati thotë se nga inspektimi do të tregojë se çfarë ka munguar në këtë pjesë të autostradës së Strumës dhe nëse kjo mangësi ka qenë shkaku kryesor i aksidentit.
Dimitrov po ashtu thekson se familjarët e klientëve të tij qartë pyesin nëse fajin e ka vetëm shoferi i vdekur apo ka ndonjë rrethanë tjetër që ka çuar deri në aksidentin e tmerrshëm, si dhe shtrojnë pyetjen se çfarë ka ndodhur me sendet personale dhe bagazhet e të ndjerëve, si dhe sende me vlerë ari dhe stoli që kishin me vete, por ato nuk ishin të regjistruara nga autoritetet bullgare dhe askush nuk ua ka kthyer.
Familjet e të vdekurve dhe të mbijetuarit e aksidentit të autobusit në Bullgari kërkuan hetim paralel për të vërtetuar shkaqet e tragjedisë ku humbën jetën 45 udhëtarë dhe 7 të tjerë u lënduan rëndë. Në dhjetor, hetimi tregoi se shkaku kryesor i fatkeqësisë ishte shpejtësia që nuk korrespondonte me kushtet e rrugës.