Gjatë festimeve të 4 Korrikut në Shtetet e Bashkuara, një avion i kompanisë Delta Air Lines u godit nga një fishekzjarr teksa po afrohej për t’u ulur në Aeroportin Ndërkombëtar Midway në Çikago.
Të lidhura
None found
Megjithatë, ulja u krye pa probleme dhe nuk pati persona të lënduar.
Delta bëri të ditur se fluturimi 1076, që operonte në itinerarin Atlanta–Çikago, e përfundoi uljen normalisht dhe nuk u desh të realizohej një ulje emergjente. Kompania sqaroi se asnjë pasagjer dhe asnjë pjesëtar i ekuipazhit nuk pësoi lëndime.
“Fluturimi 1076 i Delta nga Atlanta (ATL) drejt Çikagos (MDW) dyshohet se ka rënë në kontakt me një fishekzjarr gjatë zbritjes. Avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe më pas u drejtua drejt portës së terminalit”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë.
Pas mbërritjes në aeroport, avioni u hoq përkohësisht nga programi i fluturimeve për t’iu nënshtruar kontrolleve të hollësishme teknike, me qëllim verifikimin nëse kishte pësuar dëmtime.
Të dhënat e fluturimit tregojnë se avioni u ngrit nga Aeroporti Ndërkombëtar Hartsfield-Jackson në Atlanta në orën 19:36 me orën lokale dhe mbërriti në Aeroportin Midway të Çikagos në orën 20:38.
Incidenti dëgjohet edhe në një regjistrim të komunikimit mes pilotit dhe kullës së kontrollit ajror.
“Një fishekzjarr sapo goditi avionin tonë. Dëgjuam një zhurmë shumë të fortë dhe avioni duhet të kontrollohet sapo të arrijmë në portë. Shpresojmë që të ketë qenë vetëm një fishekzjarr që shpërtheu poshtë nesh, por goditja ishte e fortë”, tha ai.
