Vendimi i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për të dekretuar ligjin që ratifikon marrëveshjen e huasë me vlerë 302 milionë dollarë ka sjellë një reagim të fortë nga opozita.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi zyrtarisht se veprimi i Kreut të Shtetit dëshmon qartë se kryeministri Edi Rama ka çmontuar mekanizmat kushtetues që garantojnë ndarjen, balancimin dhe kontrollin ndërmjet pushteteve.
Të lidhura
None found
Sipas Bardhit, Presidenti është tërhequr nga përgjegjësia për të garantuar Kushtetutën dhe ka zgjedhur të veprojë si “noter i akteve të mazhorancës socialiste”. Ai paralajmëroi se kjo mënyrë veprimi përbën rrezik serioz për demokracinë shqiptare.
Në reagimin e tij të plotë, Gazment Bardhi shprehet:
“Fakti që Presidenti i Republikës shpalli më 30 korrik ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh, megjithëse gjatë miratimit të tij u shkel hapur Kushtetuta, tregon qartësisht se Edi Rama ka eliminuar në Shqipëri çdo mekanizëm kushtetues për ndarjen, kontrollin dhe ekuilibrin e pushteteve.
Në një sistem demokratik, Kreu i Shtetit nuk mund të shërbejë si noter i vendimeve qeveritare. Kushtetuta e ngarkon Presidentin të kontrollojë nëse ligjet janë miratuar duke respektuar procedurat kushtetuese dhe, në rast se evidentohen shkelje, t’i rikthejë ato në Kuvend për rishqyrtim. Kjo kompetencë nuk është thjesht një procedurë protokollare, por një instrument thelbësor për kontrollin dhe balancimin e pushteteve.
Prej momentit kur Bajram Begaj mori detyrën, ky instrument thuajse ka pushuar së funksionuari. Përveç një rasti që lidhej me interesin e tij personal, Presidenti nuk ka dërguar për rishqyrtim në Kuvend asnjë ligj, përfshirë edhe akte me problematika të rënda kushtetuese, të cilat më vonë janë konstatuar si të tilla edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Kjo sjellje nuk mund të konsiderohet ushtrim i detyrës kushtetuese presidenciale. Përkundrazi, ajo përfaqëson dorëzimin e funksionit të Kreut të Shtetit përpara vullnetit të qeverisë. Në vend që të mbrojë Kushtetutën dhe ekuilibrin institucional, Bajram Begaj ka vendosur të luajë rolin e noterit për aktet e shumicës socialiste.
Nëse Presidenti nuk i përdor më kompetencat që i takojnë, nëse Kuvendi shndërrohet në një shtojcë të qeverisë dhe nëse institucionet e pavarura dobësohen apo vihen nën kontroll, pushteti nuk është më i ndarë, por grumbullohet në një dorë të vetme. Pikërisht përqendrimi i tij te një person përbën rrezikun më të madh për çdo demokraci.
Shembja e demokracisë nuk ndodh domosdoshmërisht përmes një vendimi të vetëm. Ajo konsumohet gradualisht, ditë pas dite, kur institucionet heshtin, kur detyrimet kushtetuese braktisen dhe kur arbitrariteti pranohet si formë qeverisjeje.
Duke shpallur këtë ligj, pavarësisht shkeljes së qartë të Kushtetutës në procesin e miratimit, Presidenti i Republikës i ka dhënë një goditje tjetër shtetit të së drejtës dhe rendit kushtetues. Ky veprim tregon se institucioni që duhej të shërbente si mburoja e fundit e Kushtetutës ka vendosur të mos e përmbushë këtë detyrim.
E dënoj ashpër si këtë vendim, ashtu edhe rolin që Presidenti i Republikës po merr në cenimin e kushtetutshmërisë, demokracisë dhe parimit të ndarjes së pushteteve në Shqipëri. Kushtetuta qëndron mbi cilindo dhe askush nuk mund ta konsiderojë atë një pengesë formale kur përballet me abuzimin e pushtetit.”
