Gruas i gjenden 130 bretkosa helmuese në bagazhin e aeroportit

Një grua nga Brazili, është akuzuar për trafikim të bretkosave, pasi policia kolumbiane gjeti 130 bretkosa helmuese, në bagazhin e saj në aeroportin e Bogotas.

Bretkosat u gjetën në enë të vogla plastike. Qytetarja braziliane, e cila udhëtoi për në qytetin e Sao Paolos nëpërmjet Panamasë, tha se i mori bretkosat si dhuratë nga një komunitet lokal në Kolumbinë jugore.

Ndërsa, policia lokale tha se çdo bretkosë mund të arrijë një çmim prej rreth 1000 dollarë amerikanë.

Sekretarja e Ekologjisë në Bogota, Adriana Soto njoftoi se gjoba për posedimin e një prej këtyre bretkosave, të njohura si bretkosat arlekin, mund të arrijë në rreth 56 milionë pesos (14,300 dollarë).

Gjëndrat e tyre të lëkurës, prodhojnë një helm shumë të fortë që është përdorur në të kaluarën nga vendasit për të veshur majat e shigjetave të tyre të gjuetisë.

Helmi është mjaft i fortë për të vrarë kafshët e vogla, shkruan BBC.

Bretkosat Harlequin, më të vogla se gishti i madh i njeriut, janë një specie kritikisht e rrezikuar që mund të gjendet në pyjet me lagështi përgjatë bregut të Paqësorit midis Ekuadorit dhe Kolumbisë, dhe në vende të tjera të Amerikës Qendrore dhe Jugore.

Sipas policisë lokale, për shkak të statusit të tyre si specie të rrezikuara, ato janë shumë të kërkuara në mesin e koleksionistëve privatë në tregjet ndërkombëtare.

Trafikimi i kafshëve të egra, është i zakonshëm në Kolumbi dhe në të gjithë Amerikën Latine, një rajon i pasur me biodiversitet.

Amfibët, gjitarët e vegjël dhe pjesët e gjallesave detare, janë veçanërisht të popullarizuar nga tregtarët, sipas BBC.