Gjykata e Apelit rrit dënimin për Lefter Kokën, ish-ministri dënohet 10 vite burg për inceneratorin e Elbasanit

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka është dënuar me 10 vite burg për inceneratorin e Elbasanit. Prokurorët e SPAK nuk kanë qenë dakord me vendimin e mëparshëm për dënim me 8.6 vite burg dhe ka ankimuar në Apel, i cili sot ka dhënë dënimin me një dekadë.

Ndërkohë, vendimi është ndryshuar dhe për Alqi Bllakon. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit nga i pafajshëm që ishte shpallur nga Shkalla e Parë, në Apel sot është dënuar me 4 vite burg.

Për të dënuarit e tjerë vendimet nuk kanë ndryshuar, por vetëm për Lefter Kokën dhe Alqi Bllako. Ndërkohë, për këta ish-zyrtarë të lartë janë në fuqi dhe dënime të tjera me burgim për inceneratorin e Fierit, ndërkohë që hetimet vazhdojnë dhe për atë të Tiranës.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për inceneratorin e Elbasanit:

Lefter Koka – Dënohet me 10 vite burg – 6.8 vite me gjykim të shkurtuar

Klodian Zoto – Dënohet me 10 vite burg – 6.8 vite me gjykim të shkurtuar

Mirel Mërtiri – Dënohet me 10 vite burg – 6.8 vite me gjykim të shkurtuar

Stela Gugallja – Dënohet me 7 vite burg – 4.8 vite me gjykim të shkurtuar

Alqi Bllako – Dënohet me 4 vite burg, përfiton gjykim të shkurtuar

Pëllumb Abeshi – Dënohet me 4 vite burg – 2.8 vite me gjykim të shkurtuar

Bardhyl Cabiri – Dënohet me 2 vite burg

Jonida Zeqo – Dënohet me 4 vite burg – 2.8 vite me gjykim të shkurtuar

Serafin Papa – Dënohet me 1.4 vite burg

Më datë 25 Shtator 2023, Gjykata e Posaçme ka dhënë dënimet dhe për inceneratorin e Fierit. Disa nga të shpallurit fajtorë, duke përfshirë Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon, janë dënuar gjithashtu edhe për këtë impiant të trajtimit të mbetjeve.

Akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale për inceneratorin e Fierit janë pushuar për dy shtetas, për Enver Sheshin i cili ka ndërruar jetë teksa priste vendimin në qelitë e paraburgimit dhe për shtetasin Robert Shabani, i cili është gjykuar me herët nga Gjykata e Tiranës.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për të akuzuarit për inceneratorin e Fierit:

Lefter Koka – Dënohet me 10 vjet burg – 6 vite e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar

Alqi Bllako – Dënohet me 4 vjet burg – 2 vite e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar

Klodian Zoto – Dënohet me 11 vjet burg – 8 vite burg me gjykim të shkurtuar

Pellumb Abeshi – Shërbim prove

Florian Muçaj – Shërbim prove

Azem Shatëri – Shërbim prove

Erjon Murataj – Dënohet me 3 vjet burg – 2 vite burg me gjykim të shkurtuar

Sabina Cenameri – Shërbim prove

Arben Dervishaj – I pafajshëm

Loran Dusha – Dënohet me 7 vjet burg – 4 vite e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar

Arjola Kodra – E pafajshme

Arbër Denizi – Dënohet me 7 vjet burg – 4 vite e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar

Juri Imeraj – I pafajshëm

Regan Merdani – Shërbim prove

Gentian Zifla – Shërbim prove


Shtuar 8.11.2024 16:08