Gjykata britanike dënon “fermerin” shqipar të kanabisit, gjykatësi: U futët më vetëdijë në veprimtari kriminale

Autoritetet britanike kanë dënuar me dy vite e gjysmë burg një shqiptar, pasi u kap nga policia në një fermë kanabisi.

Sipas prokurorisë, 27-vjeçari, Nardi Manaj ishte i vetëm në momentin kur ndërhyri policia, e cila zbuloi se lënda narkotike kultivohej në mënyrë profesionale, me ndriçim të specializuar dhe pajisje për ujitje.

Droga ishte mbjellë në dy dhoma, në njërën 24 rrënjë dhe në tjetrin 40.

Mediat britanike raportojne se Manaj kishte dokumente greke, ndërsa avokati i tij tha se ky ishte dënimi i parë për të dhe se më parë nuk ka pasur precedentë penale.

Manaj kishte udhëtuar në Londër duke shpresuar të gjente punë. Ai takoi një grup shqiptarësh që i thanë se mund të fitonte para në mënyrë të shpejtë, duke i premtuar 1000 paund në muaj për të punuar në fermën e kanabisit.

Me tej avokati tha që Manaj po përpiqej të shlyente një borxh prej 15,000 Euro, kryesisht të paguar për operacionin e babait të tij.

Në argumentet e tij, gjykatësi tha: “Ju morët një vendim të vetëdijshëm për të hyrë në botën e veprimtarisë kriminale për të fituar para. Ju bëtë një jetë komode, me ushqim të mirë dhe akomodim të mirë. Ishe i lirë të vijë dhe të shkoje si të doje. Keni pasur edhe 200 paund para në dorë kur u arrestuat”.

Në fund gjykata dënoi 27-vjeçarin me dy vjet e gjysmë burg.


Shtuar 15.07.2021 21:38