GJKKO pushoi hetimet ndaj tij, Dvorani: Koha e gjyqeve publike ka mbaruar

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e SPAK për të pushuar çështjen ndaj Ardian Dvoranit, ish kreut të KED, pas çështjes penale që u hap me padinë e presidentit Meta.

Pas këtij vendimi, Dvorani u shpreh shkurtimisht për mediat, duke thënë se nuk mund të bëjë interpretim në lidhje me qëndrimin e SPAK.

“Nuk mendoj se më shkon mua që të bëj intepretime për qëndrimin e SPAK. Unë nuk kam përplasje me asnjë institucion, unë jam gjyqtar dhe është jashtë realitetit që të kem përplasje me institucionet. I takon si çdo individi tjetër që të ketë interpretimin e tij, janë institucionet ato që vendosin përfundimisht, koha e gjyqeve popullore ka mbaruar gjatë regjimit të kaluar. Nuk mund të bëhen në media”, tha Dvorani.

Përplasja mes Metës dhe ish-kreut të KED, Ardian Dvorani ka nisur për shkak të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, të dy kandidateve për një pozicion, Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari. Kreu i KED, që sipas Metës ishte në shkelje të Kushtetutës, emëroi Arta Vorpsin në Gjykatën Kushtetuese, duke përvetësuar kompetencën e presidentit.

Gjykata Kushtetuese nuk e njohu Vorpsin si anëtare, edhe pasi kjo e fundit u betua pranë një notereje Nga ana tjetër Xhaferllari, e dekretuar nga Meta, nisi menjëherë nga puna pas betimit të saj në presidencë, duke e çuar kështu në katër numrin e anëtarëve, si pasojë e shkarkimit të Besnik Muçit, pasi u “dogj” nga Vetingu. Anëtaret e Gjykatës Kushtetuese janë: Vitore Tusha, Fjona Papajorgji, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari.

Presidenti Ilir Meta e akuzoi Dvoranin për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe“Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal.


Shtuar 23.11.2021 10:50