Fotot që tregojnë gjithçka: Avancimi rus është ndalur, por shkatërrimet janë të mëdha

The New York Times

Ukraina ka hyrë sot në ditën e 15-të të luftës me Rusinë. Deri më tani përparimi rus drejt Kievit është ngadalësuar ndjeshëm nga ukrainasit të cilët po tregojnë një rezistencë të pashembullt ndaj pushtuesve. Por dëmet që ka shkaktuar kjo luftë janë katastrofike.

Forcat ruse kanë goditur një numër ndërtesash civile në qytetin juglindor të Mariupol. Imazhet satelitore të përhapura gjerësisht në mediat sociale tregojnë dëmet, në zonat e banuara, qendrat tregtare dhe fushat bujqësore përreth.

Shenjat që kanë lënë granatimet mund të shihen në fushat pranë M14, një autostradë kryesore që lidh Mariupolin me Odessa, sipas Allison Puccioni, një analist i imazheve satelitore.

Forcat ruse kanë rrethuar Mariupolin, një port i rëndësishëm, prej më shumë se një jave tashmë. Sulmet e vazhdueshme ruse kanë bllokuar përpjekjet për të krijuar rrugë të sigurta për evakuimin e civilëve duke i lënë ata të bllokuar dhe pa akses në nevojat kryesore si ujë, ushqim, ngrohje apo ilaçe, raporton abcnews.al

Një sulm rus në një spital fëmijësh dhe maternitet shkaktoi 3 viktima dhe qindra të plagosur. Gjithashtu trupat e dhjetëra qytetarëve që janë vrarë nga sulmet ruse po varrosen në varre masive.

Përmes imazheve satelitore, mund të shihen disa zjarre në perëndim të qytetit më 6 mars. Analiza e imazheve satelitore nxorri në pah se janë dëmtuar shumë banesa, së bashku me struktura tregtare dhe civile.

Të mërkurën, një marrëveshje midis forcave ruse dhe ukrainase lejoi që civilët të evakuoheshin nga qytetet ukrainase. U krijuan gjashtë “korridore humanitare”, megjithëse jo të gjitha u konfirmuan se ishin të hapura për të ndihmuar në evakuimin e civilëve.

Zyrtarët ukrainas thanë se Rusia ka shkelur vazhdimisht armëpushimin në Mariupol. Rreth 40,000 gra dhe fëmijë ishin evakuuar brenda një dite, tha të mërkurën David Arakhamia, udhëheqësi i Partisë së Popullit në Ukrainë.

Më shumë se 600 gra dhe fëmijë janë larguar me autobus dhe makina nga Enerhodar për në Zaporizhzhia në jug, sipas zyrtarëve lokalë, dhe të paktën 3,000 njerëz janë evakuuar nga qytetet veriperëndimore të Irpin dhe Vorzel.

Forcat ruse kanë ndërprerë të gjitha komunikimet në Mariupol, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë marrjen e informacionit për gjendjen në të cilët ndodhen qytetet, ku qindra mijëra njerëz kanë mbetur të bllokuar, raporton abcnews.al

Të martën, Presidenti Volodymyr Zelensky tha se rreth 18,000 ishin larguar nga zonat e luftimeve jashtë Kievit.

Rreth 1600 studentë dhe 3500 banorë janë evakuuar nga Summy në Poltava.


Shtuar 10.03.2022 15:35