Flik kërkon lamtumirën në fundjavë, ja arsyet e forta të “divorcit”

Hansi Flik nuk e humbi shkëlqimin edhe pse u eliminua nga Champions-i disa ditë më parë. Hansi ishte arkitekti i një Bajerni që në sezonin e fundit shkroi një faqe të suksesshme në historinë e klubit gjerman duke fituar gjithçka. Pas ndeshjes në Paris, trajneri bavarez foli për eliminimin, por ajo që ishte më e rëndësishme, edhe për të ardhmen tij. Fjalë lamtumire, mirënjohjeje dhe pasigurie. Edhe pse kontrata e tij me klubin e Bajernit përfundon në 2023, duket se gjithçka po shkon drejt fundit vetëm në sezonin e tij të dytë në Mynih si trajner i parë.

“Ku dhe si do të jetë e ardhmja ime, gjithmonë mendoj për këtë gjë”, ishte fjalia e parë e 56-vjeçarit. “Për mu ka gjithmonë situata, të cilat duhen vlerësuar si sfida të reja. Është e vështirë të mos e kalosh në mendje”. Një tjetër indicie për largimin e trajnerit ishte edhe fakti që ai vlerësoi mbështetjen e familjes së tij në çfarëdo lloj vendimi që do të merret në fund të sezonit.

“Familja ime do të ishte gjithmonë pranë meje në çdo situatë. Nëse do të isha tani pjesë e DFB-së dhe do të punojë njëlloj, kjo pak rëndësi ka për ta. Mbështetja do të ishte e njëjtë”. Interpretimet mund të jenë nga më të ndryshmet por në fjalët e Flik vështirë se mund të gjesh diçka që do ta lidhë me Bajernin në të ardhmen. Ndërkohë edhe aktorët e tjerë në këtë çështje si drejtuesit e klubit, lojtarët, tifozët dhe federata gjermane kanë mbajtur një qëndrim të ndryshëm.

DREJTUESIT – Në ditët e ardhshme pritet një takim mes Kahn, Rumeniges dhe Flik. Aty ku drejtuesit do të mësojnë më shumë për të ardhmen e trajnerit që me shumë mundësi do të flasë më qartë për atë që do të ndodhë në fund të sezonit.

LOJTARËT – “Të gjitha lajmet që vijnë nga jashtë janë të dëmshme dhe të panevojshme për ambientin brenda fushës”, tha Manuel Nojer. E thënë më saktë, lojtarët duan qartësi për atë çfarë po ndodh.

DFB – Në Federatën Gjermane të Futbollit nuk duan të japin përshtypjen që janë ata të cilët por shtyjnë trajnerin për të lënë bavarezët.

TIFOZËT – Në një pyetësor të bërë nga “Bild”, 94% të pjesëmarrësve kanë thënë se trajneri do të largohet në fund duke dyshuar në një qëndrim të tij.

MATEUS – Lotar Mateus tha të martën në mbrëmje se pas një bisede telefonike me Hansi Flik, para ndeshjes me Parisin mendon se 56- vjeçari ka marrë vendimin për t’u larguar. “Për mënyrën se si më foli, mendoj që Hansi do të ikë në fund të sezonit. Ai nuk ishte i qetë”, tha Mateus për “Sky” duke shtuar edhe më shumë zërat për largimin e Hansit nga Bajerni.


Shtuar 16.04.2021 17:03