Këtë të hënë, një vatër e madhe zjarri përfshiu kodrat e fshatit Shtërmen, në Bashkinë e Cerrikut, duke rrezikuar një sipërfaqe të gjerë me bimësi dhe duke vënë në lëvizje strukturat e emergjencave civile.
Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan 21 efektivë të shërbimit zjarrfikës së bashku me 5 mjete zjarrfikëse, të cilët punuan për disa orë pa ndërprerje për ta izoluar zjarrin dhe për ta vënë nën kontroll.
Të lidhura
None found
Në mbështetje të këtij aksioni ndërhynë edhe repartet zjarrfikëse nga bashkitë fqinje të Elbasanit, Gramshit dhe Belshit, që iu përgjigjën menjëherë thirrjes për ndihmë dhe forcuan operacionin në terren.
Si rezultat i bashkërendimit mes të gjitha forcave të përfshira dhe punës intensive në kushte të vështira, zjarri fillimisht u neutralizua dhe më pas u shua plotësisht, duke parandaluar përhapjen e tij drejt zonave të tjera.
Bashkia Cerrik shprehu mirënjohje për të gjitha ekipet e përfshira në këtë ndërhyrje, ndërsa njëkohësisht u bëri thirrje qytetarëve që, në momentin që konstatojnë një vatër zjarri, të njoftojnë menjëherë strukturat përgjegjëse.
Sipas autoriteteve, reagimi i menjëhershëm mbetet vendimtar për mbrojtjen e jetës së njerëzve, pronës, tokave bujqësore dhe pasurive natyrore.
Ende nuk dihen shkaqet që çuan në rënien e zjarrit, ndërsa autoritetet pritet të kryejnë verifikimet përkatëse për të përcaktuar origjinën e tij.
