Fjalët e para të Vjosës si presidente: Sot është Dita e Kosovës, dita e demokracisë së saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Kuvendit të Kosovës me t’u zgjedhur për ta drejtuar presidencën për mandatin e ardhshëm pesëvjeçarë.

Ajo fjalimin e saj e ka nisur duke dhënë porosi për vajzat dhe gratë anembanë vendit, duke u thënë se gjithçka është e mundur kur ato ëndërrojnë dhe punojnë për realizimin e ëndrrave të tyre.

“Vullneti juaj qytetarë të nderuar i shprehur më 14 shkurt dhe vendimi i sotëm i Kuvendit më veshin me shumë përgjegjësi. Dashuria për Kosovën dhe bashkëvendësit tanë ka qenë motivimi më i madh gjatë jetës politike. Sot është Dita e Kosovës, është dita juaj, ku vullneti juaj po plotësohet dhe institucionet po konstituohen plotësisht”, është shprehur Osmani, njofton KlanKosova.tv.

“Sot është dita kur ne dëshmojmë edhe një herë se me urti dhe vendosmëri dimë t’i përballojmë sfidat dhe dimë t’u japim kuptim. Sot po e përmbyllim parathënien e historisë së re të Republikës së Kosovës”.

“Të dashur qytetarë, sot Kosova zgjodhi edhe një herë një presidente grua. Vajzat e kanë vendim vetëm aty ku ato vetë dëshirojnë, aty ku ato çdo natë ëndërrojnë dhe për çfarë ato punojnë me zell”.

“Çdo gjë është e mundur dhe çdo gjë mund të bëhet realitet dhe për këtë duhet të besojmë bashkë fort. Gëzohem në ditë si kjo, me shembullin që po jep republika jonë”.

Osmani ka përmendur në fjalimin e saj ish Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, ish Komandantin e UÇK-së, Adem Jashari dhe sakrificën e të gjithëve për ta krijuar shtetin.

“Sot është Dita e Kosovës, dita e demokracisë së saj. Sot ne kujtojmë rolin e arkitektit të shtetit tonë, Ibrahim Rugovën i cili politikës ia dha dimensionin më të çmueshëm të saj, dimensionin human. Historia jonë është histori e përkushtimit. T’i kujtojmë sot heronjtë tanë që lirinë e vendit e patën idealin më të çmuar jetësor. Sot kujtojmë trimërinë e komandantit Adem Jashari, secilin ushtar të UÇK-së, Familjen Jashari, dëshmorët dhe heronjtë, të gjithë të pagjeturit, martirët e shumtë”, ka thënë ajo ndër të tjera.

Shtuar 4.04.2021 08:04