“Finalja që të dërgon në Champions”, Pioli: Milani di si të dalë nga ky “batak”

Stefano Pioli nuk sheh prapa. A e di që të dielën skuadra e tij do të luajë një ndeshje, e cila vlen sa i gjithë sezoni, por gjithsesi nuk kërkon të ngarkojë edhe më shumë me trysni kokat e futbollistëve të tij. Në një intervistë për televizionin e klubit, trajneri ofron këndvështrimin e tij të situatës duke dhënë edhe “recetën” për të dalë nga situata ku Milani i tij ndodhet në këto momente.

E pranoni që gabuat shumë në një ndeshje të lehtë teorikisht?

Është e lehtë të flasim pas një ndeshje të tillë ku gabuam zgjedhjet, cilësinë ritmin e gjithçka tjetër. Skuadra vinte nga disa paraqitje bindëse e duhet të vijonim më atë ritëm. Tentuam, por tani na mbetet që të tregohemi të bashkuar deri në fund.

Gjithçka në lidhje me sezonin tuaj do të luhet ndaj Atalantës…

Tani gjithçka bëhet me të vërtetë e rëndësishme, aq më tepër sepse patëm një mundësi të shkëlqyeshme që nuk e shfrytëzuam. Ne kemi ardhur nga një javë e shkëlqyeshme dhe duam ta tregojmë veten edhe ndaj Atalantës.

A ka ky ekip karakterin e nevojshëm për të dalë nga ky batak?

Duhet ta ketë dhe shpesh e ka treguar. Zhgënjimi i barazimit me Kaljarin është i madh, por dimë se si ta përgatisim më të mirë sfidën e së dielës.

Do të punoni më shumë me fizikun apo me mendjen?

Me këmbët do të bëjmë punën e duhur sepse i kemi kushtet. Duhet të punojmë mirë me mendjen e pastaj teknikisht dhe faktikisht.

Përse ka kaq shumë dallime mes Milanit në “San Siro” dhe atij në transfertë?

Kur gjejmë skuadra të tilla të mbyllura hasim vështirësi. Kishin nevojë për veprime individuale ose goditje standarde, por nuk ishte mbrëmja jonë më e mirë.

Si mendoni t’ia ngrini moralin skuadrës në një moment kaq delikat?

Nuk mendoj se detyra ime do të jetë veçanërisht e vështirë. Pas Kaljarit shkuam nëpër shtëpia me zhgënjim dhe trishtim sepse dëshironim ta mbyllnim çdo diskutim, por tani kemi finalen. Është një synim prestigjioz. Kemi punuar gjatë gjithë vitit për ta arritur. Të dielën nuk do të ketë vend për justifikime e do të jetë në vallë gjithçka kemi bërë në këtë kampionat. Me Atalantën do të jetë një rast për të treguar nëse e meritojmë të shkojmë në Ligën e Kampionëve.


Shtuar 18.05.2021 10:00