Një parashikim i ri për klimën globale, po ngre shqetësime të mëdha te shkencëtarët. Fenomeni El Niño, i kombinuar me ngrohjen e vazhdueshme të shkaktuar nga emetimet e gazrave serrë, mund ta shtyjë temperaturën mesatare globale në nivele të paprecedenta gjatë vitit 2027.
Sipas një analize të klimatologut Zick Hausfather, të publikuar në Washington Post, ekziston një mundësi prej rreth 95 për qind që 2027-a të thyejë rekordin për vitin më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë.
Të lidhura
None found
Sipas projeksioneve, temperatura mesatare globale mund të arrijë rreth 1.76 gradë Celsius mbi nivelin paraindustrial.
Hausfather e ka përshkruar El Niñon si një lloj “makine kohe” klimatike, pasi ndikimi i tij mund të sjellë temperatura që, në një skenar pa këtë fenomen, do të priteshin vetëm shumë vite më vonë.
Në qendër të këtij zhvillimi është Oqeani Paqësor. Gjatë El Niños, sasi të mëdha të nxehtësisë së akumuluar në oqean zhvendosen drejt lindjes, duke ndikuar në atmosferë dhe duke shpërndarë nxehtësinë në pjesë të ndryshme të globit.
Temperaturat e ujërave në Paqësorin ekuatorial kanë arritur nivele jashtëzakonisht të larta, duke shtuar shqetësimet për ndikimin e fenomenit në klimën globale.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe faktorë të tjerë mund ta përforcojnë ngrohjen. Zvogëlimi i aerosoleve atmosferike, të cilat deri më tani kanë reflektuar një pjesë të rrezatimit diellor dhe kanë pasur efekt ftohës, mund të kontribuojë në rritjen e temperaturave.
Megjithatë, ndikimi i El Niños pritet të jetë kryesisht i përkohshëm. Parashikimet sugjerojnë se 2028-a mund të jetë më e freskët.
Por kjo nuk ndryshon tendencën afatgjatë: emetimet e vazhdueshme të gazrave serrë po e shtojnë në mënyrë të përhershme sasinë e nxehtësisë në sistemin klimatik.
Një atmosferë më e ngrohtë gjithashtu, mund të mbajë më shumë avuj uji. Sipas parimit fizik të njohur si relacioni Clausius-Clapeyron, kapaciteti i ajrit për të mbajtur avuj uji rritet me rreth 7 për qind për çdo 1 gradë Celsius ngrohje, duke rritur potencialin për reshje ekstreme.
Evropa përballet me temperatura ekstreme
Ndërkohë, Evropa po përjeton një seri valësh të nxehti që po vënë në provë infrastrukturën, sistemet shëndetësore dhe ekonomitë e vendeve të kontinentit.
Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat kanë kaluar 38 gradë Celsius, ndërsa Franca ka regjistruar temperatura të ngjashme, përfshirë rreth 38 gradë Celsius në Paris.
Temperaturat e larta kanë shtuar presionin mbi spitalet dhe shërbimet publike, ndërsa në disa zona janë vendosur masa për përballimin e vapës dhe thatësirës.
Në Francë, temperaturat ekstreme kanë prekur edhe bujqësinë. Disa vreshtarë janë detyruar të përshpejtojnë korrjen për të mbrojtur prodhimin nga dëmtimi i shkaktuar nga nxehtësia.
Kostoja ekonomike e valëve të njëpasnjëshme të të nxehtit, thatësirës dhe zjarreve po bëhet gjithnjë e më e madhe. Përtej rekordeve të temperaturave, shkencëtarët paralajmërojnë se ndikimet më të rëndësishme të ndryshimeve klimatike do të shfaqen në shëndetin publik, sigurinë ushqimore, furnizimin me ujë dhe ekonominë.
Nëse parashikimet realizohen, 2027-a mund të jetë një tjetër dëshmi e shpejtësisë me të cilën po ndryshon klima e Tokës.
