Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, e ka vlerësuar si zhvillim pozitiv udhëtimin e Sali Berishës drejt Shteteve të Bashkuara, duke e lidhur këtë lëvizje me përmirësimin e marrëdhënieve të PD-së me aleatin strategjik të Shqipërisë.
Salianji megjithatë argumenton se problematika kryesore politike e opozitës nuk ndodhet në Uashington, por në Tiranë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, PD-ja vazhdon të mbetet e kushtëzuar nga e kaluara dhe nga përplasjet që lidhen me figurën e Berishës, ndërsa duhet t’u dëshmojë qytetarëve se është në gjendje të ofrojë një alternativë qeverisëse.
Në reagimin e tij, Salianji shprehet se Edi Rama nuk gëzon më mbështetjen e qytetarëve, por thekson se largimi i kryeministrit mund të arrihet vetëm përmes një opozite të besueshme.
Për këtë arsye, ai i kërkon Berishës të reflektojë dhe të shqyrtojë dorëheqjen, si një hap që do t’i hapte rrugën ndryshimit në Partinë Demokratike.
Sipas Salianjit, udhëtimi i Berishës nxjerr në pah një paradoks: ai mund të shkojë në Shtetet e Bashkuara, por politikisht nuk arrin të ecë përpara në Shqipëri.
Ai pretendon se Berisha nuk mund të bindë Fierin të organizojë një takim, nuk e viziton dot dhe nuk mund të fitojë Shkodrën, nuk arrin të zhvillojë një takim apo të mobilizojë Vlorën, nuk mund të organizojë takim në Berat dhe është i papranuar nga protestuesit në Tiranë.
Gjithashtu, Salianji shton se, mbi të gjitha, Berisha nuk është në gjendje të bindë shumicën e shqiptarëve se përfaqëson zgjidhjen për të ardhmen e vendit.
Për ish-deputetin demokrat, çdo zhvillim pozitiv që mund të vijë nga Uashingtoni nuk e ndryshon faktin se sfida e PD-së ndodhet në Tiranë.
“Edi Rama nuk largohet duke rikthyer vazhdimisht të shkuarën. Ai mund të largohet vetëm përmes ndërtimit të një alternative që shqiptarët e besojnë si zëvendësuese të tij. Sot, pengesa kryesore për këtë alternativë është fakti që PD-ja vazhdon të mbahet peng i një beteje për të shkuarën, në vend që të përqendrohet te ndërtimi i së ardhmes”, shprehet Salianji.
Ai e cilëson udhëtimin si një mundësi që, larg zhurmës së përditshme, Sali Berisha të mendojë për kërkesën që mund t’i drejtohet: dorëheqjen.
Salianji kërkon që Berisha të pranojë se historia e tij, nuk mund të përkojë përgjithmonë me historinë e Partisë Demokratike.
“Një parti nuk mund të mbetet peng i një individi. Një dorëheqje dinjitoze nuk do të ishte humbje personale, por mund të përbënte kontributin e fundit të madh politik për Shqipërinë dhe Partinë Demokratike”, vijon ai.
Sipas Salianjit, nëse Berisha e vendos interesin publik mbi gjithçka dhe e do realisht Partinë Demokratike, duhet t’i japë kësaj force politike atë që deri tani nuk ka mundur t’ia sigurojë: mundësinë për të fituar.
“Shqipëria ka nevojë për një opozitë që fiton, jo për një opozitë që thjesht mbijeton. Koha për ndryshim është tani. Edi Rama e ka humbur mbështetjen popullore dhe qytetarët presin ndryshimin e opozitës për ta larguar kryeministrin një orë e më parë”, përfundon reagimi i Ervin Salianjit.
