EMRAT/ Prodhonin dhe shpërndanin lëndë narkotike, arrestohen babë e bir në Fier

Policia ka arrestuar babë e bir në Fier për kultivim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Xhemal Çobajt dhe Qamil Çobajt, gjatë një kontrolli, u janë gjetur dhe sekuestruar, 3.2 kg kanabis dhe fidanë narkotikë të mbjellë në kuti felizoli.

Njoftimi i policisë:

Fier

Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni policor i koduar “Kalldrëmi”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, Komisariati i Policisë Fier dhe Forca e Posacme “Shqiponja”.

Sekuestrohen 3.2 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe fidanë narkotikë.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Kalldrëmi”.

Në kuadër të këtij operacioni, nga kontrolli i banesës së shtetasve Xh. Ç. dhe Q. Ç., u gjetën dhe sekuestruan 3.2 kg kanabis dhe fidanë narkotikë të mbjellë në kuti felizoli.

Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasit Q. Ç., 54 vjeç dhe Xh.Ç., 19 vjeç (babë e bir), banues në Cakran, Fier.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 24.07.2021 10:56