Emily Ibanez zë vendin e pestë për Kosovën në Botërorin e peshëngritjes

Me 240 kilogramë të ngritur në dygarësh, Emily Ibanez siguroi të martën vendin e pestë në kategorinë deri 69 kilogramë në Kampionatin Botëror për të rritur, që po zhvillohet në Kinë. Peshëngritësja që përfaqëson Kosovën është vetëm 15-vjeçare dhe më e reja mes pjesëmarrëseve në Botërorin për seniorë, ku arriti një rezultat të jashtëzakonshëm.

Në disiplinën e shkëputjes, 106 kilogramët e ngritur i dhanë Ibanezit vendin e tretë. Në shtytje, ajo realizoi 134 kilogramë dhe përfundoi e gjashta.

Të lidhura

None found

Ibanez konkurroi në Grupin B, i dyti për nga niveli i garueseve. Në këtë grup, rezultatin e saj e tejkaluan vetëm dy peshëngritëse, një nga Kolumbia dhe një nga Bjellorusia.

E lindur në Spanjë, Emily ka nisur të garojë për Kosovën këtë vit, ashtu si edhe vëllai i saj, Brayan.

Për Brayan Ibanez, pjesëmarrja në Botëror ishte parashikuar të hënën, por sëmundja e detyroi të tërhiqej. Ndërkaq, të mërkurën Kosovën do ta përfaqësojë në garë iraniani Kianoush Rostami.


Shtuar më 3.11.2026 14:44