E sulmuan me shkopa bejsbolli në mes të portit të Sarandës, policia shpall në kërkim autorët

Policia ka shpallur në kërkim 3 persona pasi dhunuan dhe plagosën avokatin 39-vjeçar Mario Mejdini në Sarandë.

Policia bën me dije se në kërkim janë shpallur shtetasit me iniciale E.F., S.N. dhe A.R. nën akuzën e plagosjes dhe mbajtja e armëve të ftohta.

Policia ka marrë ditën e djeshme në mbrojtje dhomën e spitalit ku gjendet i shtruar 39-vjeçari Mario Mejdini.

Ndërkohë burime spitalore bëjnë me dije se i plagosuri Mejdini mund të transportohet jashtë shtetit për mjekim më të specializuar.

Njoftimi i policisë:

Goditën me sende të forta një shtetas, identifikohen dhe shpallen në kërkim policor 3 autorët e dyshuar të ngjarjes. Procedohet penalisht administratori i 1 subjekti, për veprën penale “Pushtimi i tokës”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë shpallur në kërkim policor shtetasit E. F., S. N. dhe A. R., për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në lagjen nr. 4, në qytetin e Sarandës, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta në trup shtetasin M. M., 39 vjeç, banues në Sarandë dhe i kanë dëmtuar pjesërisht automjetin që ai drejtonte. Vijon puna për lokalizimin e vendndodhjes dhe kapjen e tyre.


Shtuar 6.07.2021 13:24