E rëndë në Durrës/ Babai kërcënon vajzën dhe më pas qëllon veten, zbardhet dinamika (EMRI)

Mbrëmjen e djeshme, një ngjarje e rëndë  është regjistruar në Qerret të Durrësit, ku babai ka kërcënuar vajzën me thikë dhe më pas ka qëlluar veten.

Burimet pohojnë se Ardian Varrosi në gjendje të dehur, ka kërcënuar vajzën e tij se do ta vriste me thikë, ndërkohë që më herët e kishte dhunuar.

Vajza ka arritur të shpëtonte duke dalë nga banesa dhe ka kërkuar ndihmë te fqinjët. Këta të fundit kanë shkuar menjëherë në familjen Varrosi, atje ku kryefamiljari ka vijuar të kërcënonte edhe fqinjët.

Në vendin e ngjarjes mbërritën dy patrulla policore, të cilat bënë të mundur shmangien e përshkallëzimit të situatës.

Në momentet që policia mbërriti në vendin e ngjarjes, kryefamiljari është vetëqëlluar me thikë në qafë.

Ai është dërguar menjëherë në urgjencë, ku po merr ndihmë mjekësore. Burime nga spitali i Durrësit pohojnë se gjendja shëndetësore e tij, po mbahet në monitorim nga stafi mjekësor.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet e rastit.

Fillimisht, janë marrë në pyetje familjarët dhe pritet që me stabilizimin e gjendjes shëndetësore të kryefamiljarit t’i merret edhe atij dëshmia.


Shtuar 14.02.2026 10:46