Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur se PD do të faktojë vjedhjen e zgjedhjeve të 25 Prillit.
Komentet Basha i bëri nga konferenca të cilën kishte lajmëruar për të sqaruar një sërë çështjesh me rëndësi sipas tij.
Basha gjithashtu foli edhe për komisionin Beccheti dhe mbi hetimin e inceneratorëve, të cilët I quajti si afera më e madhe korruptive e qeverisë.
Fjala e Bashës:
Në aksionin e saj politik në nisje të parlamentit, ndër të tjera Partia Demokratike ka kërkuar ngritjen e 3 komisioneve hetimore, një komision hetimor për masakrën zgjedhore, një komision hetimor për inceneratorët e mafies së plehrave dhe një komision hetimor për çështjen Becheti.
Siç e keni ndjekur, Komisioni Hetimor për Masakrën Zgjedhore është ngritur, dhe pavarësisht përpjekjeve për ta sabotuar atë, ai vijon dhe ne do ta çojmë deri në fund zbardhjen e asaj që ndodhi me votën e shqiptarëve, me qëllim krijimin e të gjitha kushteve të domosdoshme për të penguar përsëritjen e gërshetimit të partisë, shtetit, krimit dhe oligarkisë si një nyje në fytin e demokracisë shqiptare.
Ngritja e dy komisioneve të tjera, për inceneratorët dhe Bechetin, po vonohen momentalisht nga pakica në pushtet, me pretekste sa naive, po aq acaruese për qytetarët që e dinë mirë se çfarë fshihet pas tyre. Megjithatë, mund të vonojnë ngritjen e tyre, por nuk e pengojnë dot atë.
E nëse për mafien e inceneratorëve po kërkojnë riformulim të kërkesës tonë, në përpjekje për ta kthyer atë që duhet të jetë një komision hetimor, në një pseudo-grup pune për mjedisin, ndërkohë Rama shantazhoi jo më larg se dje krerët e bashkive për t’i çuar mbetjet te inceneratorët me pronarë offshore, për të furnizuar me paratë e qytetarëve llogaritë bankare në parajsat fiskale. Diçka që nuk do ta lejojmë në asnjë mënyrë.
Për komisionin Becheti, Edi Rama u tregua i prerë, duke na thënë se duhet ta harrojmë ngritjen e tij, sepse sipas Edi Ramës vendimi është i “mbuluar nga konfidencialiteti” dhe publikimi i tij dëmton interesat e Shqipërisë…
Që Edi Rama gënjen, nuk është lajm, por duke qenë se këtu bëhet fjalë për një dëm prej më shumë se 120 milionë euro, fshehja e tij pas sekretit, është qesharake, sepse vendimi është “fshehur” në hapësirën më sekrete të botës, në internet (tregohet në ekran). Pra, aq konfidencial është ky vendim, saqë unë, ju, qytetarët nga shtëpia, me një kompjuter apo me një smartphone, këtu në Shqipëri apo në Dealer-in e kompanive të tyre offshore apo çdo cep të botës mund të aksesojnë dhe të gjejnë këtë dokument “sekret” që kemi përpara nesh./albeu.com/