Burri i ish-ministres Xhaçka thirret në SPAK

Bashkëshorti i ish-ministres së Jashme Olta Xhaçka, Artan Gaçi, është paraqitur paraditen e kësaj të premteje në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Ende nuk dihet se për çfarë është thirrur Gaçi në SPAK, por nuk përjashtohte mundësia që ai po merret në pyetje në lidhje me padinë e ngritur nga Fredi Beleri, në lidhje me pronat

Një ditë më parë për këtë dosje u pyet edhe kryetari në detyrë i bashkisë Himarë, Jorgo Goro.

Kujtojmë se Gaçit, me Vendim të Këshillit të Ministrave, i është dhënë në përdorim të një zone bregdetare në Himarë për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare.

Sipas këtij vendimi, kompanisë  ‘AGTTC Hotel Management’ i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.

Në vendimin e qeverisë, ‘AGTTC Hotel Management’ sh.p.k, cilësohet si investitor strategjik. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKB, kjo kompani figuron në pronësi të shtetases amerikane, Tawni Lin Grzych-Sutton.

“Bashkia Himarë ka detyrimin që brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së investitorit strategjik “AGTTC Hotel Management” sh.p.k, me NUIS M11825022K, të lidhë kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në përputhje me sipërfaqet e destinacionin e kërkuar nga subjekti, të lejuara me vendimin nr.3/5, datë 29.3.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar, dhe të konfirmuara më tej nga Bashkia Himarë,” shkruhet në vendim.

Por, rezulton se kjo kompani është themeluar tre muaj pas vendimit për shpalljen e investitorit strategjik, që ndryshe nga sa sugjeron vendimi i Këshillit të Ministrave, është kompania me emër të ngjashëm, AG.TTC Sh.p.k – në pronësi 100% te ish-deputetit socialist dhe bashkëshortit të ish-ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.

Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të ish-Ministres së Punëve të Jashtme gjithashtu ngre shqetësime për konflikt interesi.

Kompania ‘AGTTC Hotel Management’ është regjistruar në QKB me 25 qershor 2021. Veprimet e regjistrimit janë bërë me prokurorë nga juristja Iris Erebara, e cila është gjithashtu juriste e kompanisë  ‘AG.TTC’ Sh.p.k në pronësi të Artan Gaçit.