Dosja “Toyota Yaris”/ Lirohet nga qelia ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka

Apeli i Gjykatës së Posaçme, ka liruar nga qelia ish Kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, i burgosur prej qershorit 2024 për dosjen “Toyota Yaris”. Gjykata vendosi që të pranojë kërkesën e tij për shuarjen e masës së sigurisë.

“Gjykata vendosi konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit z. A.Z me Vendimin nr. 87 Akti, datë 28.07.2024 dhe të verifikuar me Vendimin nr. 92, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të të pandehurit z. A.Z nga ambientet e paraburgimit, nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor”, njofton gjykata.

Të lidhura

None found

Zarka u dënua me 4 vite burg për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm për “Toyota Yaris”, por dënimi iu reduktua në 2 vite e 8 muaj për shkak se përfitoi nga gjykimi i shkurtuar.

Por në janar, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit të GJKKO-së, duke e rikthyer çështjen për rigjykim me një trupë tjetër.

Vendimi i Apelit ishte ankimuar nga SPAK dhe nga vetë Zarka.

Arsyetimi i Apelit te Gjykatës së Posaçme, ishte se Zarka duhej të ishte akuzuar nga SPAK për grup të strukturuar kriminal.

Sipas gjykatës, Zarka është gjetur fajtor për të pesta episodet e akuzuara, 3 prej të cilave ishin në bashkëpunim me 3 të pandehurit e tjerë Erjona Daupaj, Radovan Çela dhe Astrit Vladi, ndaj përbën një formë të veçantë bashkëpunimi, atë të të grupit të strukturuar kriminal.

Rekurs ndaj këtij vendimi bëri Zarka si edhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit.

Sipas SPAK, ish kryeprokurori dhe tre persona të tjerë të shpallur në kërkim, Erjona Daupaj, ish-oficere e Policisë Gjyqësore, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi kanë ushtruar ndikim të paligjshëm, kanë marrë dhe dhënë ryshfet funksionarëve të drejtësisë.

Prokuroria e Posaçme thotë se Zarka me 3 të tjerët kanë ndërhyrë në disa dosje duke ofruar dhe premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë për të lehtësuar rrethanat, mes të cilave edhe ajo e Suel Çelës.

Ata kanë ndërhyrë për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin Alfred Vladin, kushëririn e tij Elvis Vladi në lidhje me 3.4 milionë eurot që u bllokuan në Portin e Durrësit, në qershor 2018, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit.

Kujtojmë që GJKKO e ndau veçmas dosjen për tre personat e tjerë për shkak se vijojnë të jenë në kërkim.

Njoftimi i gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më 09.05.2026, disponoi për çështjen penale nr. 131 akti, datë 08.05.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit A.Z:

“1. Shuarja e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar me Vendimin nr. 87 Akti, datë 28.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurit A.Z.

2. Urdhërimi i lirimit të menjëhershëm të të pandehurit A.Z nga ambientet e paraburgimit (I.E.V.P. Durrës)” dhe vendosi:

1. Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit z. A.Z me Vendimin nr. 87 Akti, datë 28.07.2024 dhe të verifikuar me Vendimin nr. 92, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2. Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të të pandehurit z. A.Z nga ambientet e paraburgimit, nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs brenda 45 ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të arsyetuar të vendimit.

 


Shtuar 9.05.2026 14:48